zoom

Aktualitet

GJKKO shtyn përsëri seancën ndaj Berishës, avokatët kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Gjoka

Gjykata e Posaçme nuk po arrin dot ta finalizojë shqyrtimin e ankimimit të avokatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, që kërkojnë prishjen e masës së sigurisë, “arrest me burg”.

Njoftohet se edhe sot u shty seanca për ish-kryeministrin Berisha dhe Malltezi, ku pritej të shqyrtohej revokimi i masës së sigurisë.

Seanca mësohet se do të mbahet më datë 12 mars në orën 15:00.

Avokatet kërkuan kohë të njihen me informacionin dy mujor të depozituar nga ana e SPAK në gjykatë, në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe në të njëjtën kohë depozituan një tjetër kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Berisha dhe Malltezi akuzohen për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Akuzat janë kundërshtuar, duke e quajtur hetimin politik dhe me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

GJKKO ka rrëzuar disa kërkesa për heqjen e masës ndaj tyre, teksa Berisha nuk shkon dot as në Parlament si deputet. Opozita ka denoncuar se qëllimi i PS është djegia e mandatit të tij. /ZOOM.AL/