zoom

Ide & Blog

Padashje politikane – 3 gratë që po rrezikojnë gjithçka për demokracinë

Yulia Navalnaya “nuk kishte zgjedhje tjetër”.

Kjo është ajo që tha një ligjvënës ukrainas për gruan e të ndjerit, Alexei Navalny, e cila u zotua të vazhdojë misionin politik të bashkëshortit të saj duke luftuar për rikthimin e demokracisë në Rusi, pasi ai vdiq muajin e kaluar në një burg siberian të sigurisë së lartë.

Kur nisën të dalin raportet e para për vdekjen e Navalny-t, Navalnaya ndodhej në Mynih për të marrë pjesë në punimet e përvitshme të Konferencës së Sigurisë. Në fillim, ajo nuk ishte e sigurt nëse do t’u besonte atyre apo jo.

Por pak minuta më vonë, u ngjit në podumin kryesor të ndërtesës ku mbahej konferenca: “Kur mora vesh lajmin po mendoja:A duhet të qëndroj këtu para jush, apo të kthehem tek fëmijët e mi? Dhe pastaj mendova: Çfarë do të kishte bërë Alexei në vendin tim? Dhe jam e sigurt se ai do të kishte qëndruar këtu në këtë panel”.

Që nga ai moment, Yulia Navalnaya e ka kthyer në të sajin misionin e të shoqit. “Unë do të vazhdoj punën e Alexei Navalny-t. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për vendin tonë. Dhe unë ju ftoj të qëndroni përkrah meje”- tha ajo në një video-mesazh, të shpërndarë në platformën X, vetëm pak ditë më vonë.

Një ndjenjë padrejtësie

Lisa Yasko, 33 vjeçe, anëtare e Parlamentit të Ukrainës, shprehet se e kupton shumë mirë se çfarë është në rrezik. Partneri i saj ndodhet në burg në Gjeorgji për kundërshtimin e autoriteteve në pushtet. Me origjinë nga Kievi, Yasko u bë një aktiviste politike në vitin 2014 pas të ashtuquajturës Kryengritja e Maidanit, ku mijëra ukrainas dolën në rrugë për të demonstruar në favor të lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian, jo me Rusinë.

“Unë besoja se duhet të isha në politikë për të nxitur ndryshimin, Kisha një ndjenjë se nuk mund të vazhdonte më padrejtësia”- thotë ajo për CNBC. Në atë kohë, presidenti pro-rus i Ukrainës, Viktor Janukovich, e kishte injoruar parlamentin e vendit të tij, dhe kishte refuzuar të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.

Në vitin 2019, Yasko u takua me presidentin aktual Volodymyr Zelenskyy dhe vendosi të bëhej deputete e partisë së tij. Në fillim të karrierës së saj politike, Yasko kujton se shihej si “e reja”, por shton se pas pushtimit rus, gratë në politikë filluan të fitonin “më shumë respekt”.

Yasko ishte pjesë e delegacionit ukrainas që udhëtoi në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të këtij viti, për të kërkuar më shumë mbështetje nga aleatët perëndimorë. Dy vjet pas pushtimit të plotë të vendit nga Rusia, Yasko tha se Ukraina tani po përballet me një “presion të dyfishtë ose të trefishtë”.

‘Rastësisht politikane’

Edhe Sviatlana Tsikhanouskaya, nuk është e panjohur si një grua që është rreshtuar në një luftën për mbrojtjen e vlerave demokratike. Ajo u bë udhëheqëse e opozitës së Bjellorusisë, pasi burri i saj u arrestua për shkak të sfidimit të presidentit autokrat në pushtet prej gati 3 dekadash Aleksandr Lukashenko, një aleat shumë i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin.

Tsikhanouskaya jeton në mërgim që nga viti 2020, pasi kandidoi kundër Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale të gushtit të atij viti, të cilat u fituan sërish nga presidenti aktual dhe që u kontestuar fort nga opozita si të manipuluara.

Ajo e përfaqëson vendin e saj në takimet ndërkombëtare, dhe kërkon vendosjen e sanksioneve edhe më të forta ndaj Lukashenkos. Ky i fundit, ka urdhëruar arrestimin e qindra aktivistëve që e kanë sfiduar 30 vitet e fundit.

“Unë e quaj veten një politikane aksidentale”- thotë ajo për CNBC në një intervistë online përmes platformës Zoom.

“Ishte viti 2020, kur bashkëshorti im vendosi të kandidonte për president. Por ai u arrestua menjëherë dhe u pengua të garonte… Nga dashuria që kam ndaj tij, vendosa të kandidoj vetë në ato zgjedhje”- tha ajo. Në një deklaratë të majit 2023 Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Bjellorusia po mbante “padrejtësisht” mbi 1.500 të burgosur politikë.

Kur u pyet se çfarë e motivon të vazhdojë në këtë rrugë, Tsikhanouskaya përgjigjet:”Është një dhimbje e madhe, një dhimbje që shndërrohet në energji. Sepse kur çdo ditë zgjohesh me mendime për bashkëshortin tënd… Por edhe me dhimbje si pasojë e të gjitha akteve mizore, torturave që po përjeton një person në këtë moment, ti e di, dhe je shumë e zemëruar me këtë paligjshmëri, e cila nuk mund të vazhdojë pafund”-shtoi ajo.

Nga Silvia Amaro, reportere televizive e përgjithshme për CNBC në Londër që mbulon politikën, ekonominë dhe tregjet financiare evropiane