zoom

Aktualitet

KPA e Vettingut shkarkon prokurorin e Matit, shkak pasuria. Urim Buci pasohet nga Abaz Muça

Prokurori Urim Buci, i cili mbante edhe pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, është shkarkuar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që e ka rrëzuar vendimin e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit të 27 Prillit të vitit të kaluar, që kishte konfirmuar në detyrë Bucin. Vendimi i KPK ishte apeluar me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të zbatimit të reformës në drejtësi.

Në vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit thuhet se Urim Buci nuk ka shënuar në deklaratën “vetting” të ardhura nga emigracioni në asnjë formë, por vetëm i ka përmendur ato si burim për krijimin e pasurisë.

Buci nuk ka arritur të vërtetojë me dokument burimin e këtyre të ardhurave, çka ka bërë që KPA të vendosë unanimisht shkarkimin e tij nga detyra.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh me urgjencë këtë të martë dhe vendosi caktimin e përkohshëm të prokurorit Abaz Muça si drejtues për një afat 3 mujor, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Prokurori Abaz Muça e ka kaluar procesin e vettingut dhe para reformës së hartës së re gjyqësore ishte në krye të Prokurorisë së Shkallës së Parë Mat. /ZOOM.AL/