zoom

Art & Kulturë

Partia e Lirisë thirrje Presidentit: Mos e dekreto ligjin për zonat e mbrojtura, është klientelist!

Partia e Lirisë i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bajram Begaj që të mos dekretojë Ligjin për Zonat e Mbrojtura, i cili u miratua pak ditë më parë në Parlament.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Erisa Xhixho u shpreh se ky ligj është një ligj klientelist i mazhorancës dhe hap rrugë shkatërrimit zonave të mbrojtura, pasi parashikohet që aty të ndërtohen resorte dhe hotele.

Deklarata e Xhixhos:

“Të nderuar qytetarë,

Disa ditë më parë, grupi i deputetëve të maxhorancës votoi verbërisht Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke i hapur udhë në këtë mënyrë shkatërrimit për interesat klienteliste të oligarkëve të pushtetit të pasurisë kombëtare. Me këtë ligj zonat e mbrojtura, do të shndërrohen në sheshe ndërtimi për resorte, komplekse pallatesh apo biznese, shumica e të cilave do të vihen në shërbim të pastrimit të parave të krimit e korrupsionit.

Në dëm të interesit publik dhe atij kombëtar, në kundërshtim të plotë me Bashkimin Europian, shoqërinë civile, organizatat mjedisore dhe opozitën, ky ligj nuk është veçse zgjatim i ligjeve të tjerë të së njëjtës filozofi qeverisëse që frymëzohet, financohet dhe iu shërben interesave të babëzisë kriminale të një grushti oligarkësh.

Së pari, kompetencat i kalojnë Këshillit Kombëtar të Territorit duke iu hequr Ministrisë së Mjedisit.

Së dyti, lejohen investimet strategjike dhe kategoritë e investimeve strategjike si resorte e biznese shërbimi etj.

Falë ligjit të ri, nuk do të ketë më zona të mbrojtura. Pra, mund të ndërtohet në Butrint, Karavasta, Mal të Dajtit apo në Liqenin e Ohrit.

Ligji largon ekspertët nga vendimmarrja dhe e kalon atë tek Këshilli i Ministrave.

Qeveria që u krenua me 10 milionë turistët e sezonit që lamë pas kërkon të shkatërrojë pikërisht atë që i tërheq turistët në Shqipëri: pasuritë natyrore të saj.

E njëjta maxhorancë që dy vjet më parë i hapi ditën jeshile grabitjes së portit të Durrësit, apo që më parë shkatërroi Lagunën e Nartës me aeroportin e Vlorës që mund të ndërtohej shumë mirë diku tjetër, kërkon të legalizojë shkatërrimin e zonave të mbrojtura, duke u dhënë mundësinë investitorëve të saj strategjikë t’i shndërrojnë ato në gjenerues fitimi apo lavatriçe parash të pista.

Pavarësisht se delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi transparencë dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se : “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”, maxhoranca në pushtet nuk u ndal.

Përveçse shkel MSA-në dhe konventat e tjera për mbrojtjen e natyrës, ky ligj është i papajtueshëm me Kushtetutën. Mbrojtja e mjedisit është një objektiv kryesor shoqëror dhe një detyrim i përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Partia e Lirisë dhe opozita do të vijojë të jetë në koordinim me shoqërinë civile dhe ekspertët e mjedisit, në mbështetje të kërkesave të tyre.

Në këto kushte, ne i kërkojmë publikisht Presidentit të Republikës që në përputhje me autoritetin që i jep Kushtetuta të mos e dekretojë ligjin klientelist të maxhorancës, për të dëshmuar në këtë mënyrë jo vetëm se nuk është një shtojcë e pushtetit të saj, por mbi të gjitha, të mbrojë nga barbaria pasuri të parikthyeshme më e të krijuara në mijëra vjet, te cilat ne e kemi për detyrë t’ua lemë brezave të ardhshëm të paprekura njësoj siç na i kanë lënë ne paraardhësit tanë”. /ZOOM.AL/