Aplikacion
Situata është pak më ndryshe, raporton nga Tirana televizioni publik gjerman MDR. Ndërsa rroga mesatare në Shqipëri është 500 euro, çmimet për një metër katrorë hapësirë banimi janë ngjitur në 1500 euro, përkundër numrit të madh të banesave të zbrazëta. Sipas njoftimeve të mediave lokale shqiptare, në Tiranë janë rreth 40 mijë banesa të zbrazëta. Me gjasë, shkruan MDR, projektet ndërtimore përdoren për të pastruar para — për shembull duke paguar kreditë me para të pista. Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI TOC) vlerëson se mes viteve 2016–2018 në sektorin shqiptar të ndërtimarisë janë shpëlarë 1,2 miliardë euro.
Në indeksin e korrupsionit të Transparency International, Shqipëria arrin vetëm 37 pikë nga 100 pikë të mundshme dhe zë vendin e 98-të prej 180 vendeve të hulumtuara. Me këtë rejting Shqipëria gjendet në nivel me Bjellorusinë dhe Argjentinën.
MDR përmend reformën në drejtësi, e cila nisi në vitin 2016. Përkundër disa akuzave ndaj politikanëve, duket se problemi është strukturor. Si shembull MDR përmend rastin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Grupi parlamentar i socialistëve arriti që me muaj të shtyjë heqjen e imunitetit të Ahmetajt. Ai e shfrytëzoi kohën dhe iku jashtë shtetit.
MDR citon ekspertin e antikorrupsionit Arjan Dyrmishi, i cili thotë se popullsia është skeptike sa i përket luftës kundër korrupsionit: “Popullsia e ka parë se pas ndërrimit të qeverisë zëvendësohet personeli, por korrupsioni mbetet”. Sipas tij, aktualisht në Shqipëri shihen vetëm procese, por jo edhe rezultate sa i përket luftës kundër korrupsionit.