Aplikacion
Depresioni, problemet ekonomike, alkooli apo varësia nga drogat janë disa prej shkaqeve të këtyre krimeve makabre.
Herë pas here në media janë publikuar lajme të kronikës së zezë, të cilat kanë përfshirë familje shqiptare në emigracion, kryesisht në shtete me prani demografike shqiptare, si Greqia, Italia, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më poshtë po sjellim rastet më të rënda të të paktën tetë viteve të fundit në këto shtete, ku vrasësit janë burra shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve të arrestuar dhe dënuar, kurse të tjerët të flijuar në çast.
Raste në Greqi
15 shkurt 2024
Një 39-vjeçar shqiptar vrau gruan e tij rumune, Jana Bajan, 29 vjeç. Sipas mediave greke, vrasja ndodhi në zonën e Kaminias në Heraklion të Kretës.
39-vjeçari Gentian Mino dyshohet se kishte qenë i dehur në momentin kur qëlloi me armë zjarri ndaj gruas së tij, e cila fatkeqësisht humbi jetën.
Ai u tha autoriteteve se pasi ishte kthyer në banesë kishte debatuar me viktimën. Në sherr e sipër, nxori një pistoletë që mbante në banesë pa leje dhe qëllloi dy herë mbi të. Njëri prej plumbave e goditi Jana Bajan në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.
1 gusht 2022
Një krim i rëndë në familje tronditi ishullin e Zakinthos në Greqi më 1 gusht 2022, kur një 51-vjeçar shqiptar qëlloi për vdekje me thikë bashkëshorten e tij. Sipas policisë, Vladimir Beqiraj goditi me grushte dhe në vazhdim me thikë bashkëshorten e tij, po shqiptare, pas një sherri të radhës.
Viktima dhe autori ishin prindër të tre fëmijëve. Policia mundi të kapte autorin e vrasjes së bashkëshortes së tij në Zakynthos. Ai ishte fshehur në një ullishte aty pranë, ndërsa policia gjithashtu mori në mbrojtje fëmijët e familjes.
6 dhjetor 2021
Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Greqinë, ku një shqiptar i identifikuar me emrin Festim, i moshës 40-vjeçare mbyti për vdekje bashkëshorten e tij, Elonën. Krimi ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, sepse sipas tij, bashkëshortja i kishte sharë mamanë dhe i kishtr kërkuar divorcin. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e tyre, ndërsa fëmijët e mitur po flinin gjumë në dhomën ngjitur.
Ka qenë vetë 40-vjecari ai që ka telefonuar autoritetet për krimin e rëndë, ku i ka komunikuar policisë në telefon se kishte vrarë gruan e tij. Nga dëshmia e dhënë në komisariat u mësua se shqiptari kishte xhelozi patologjike dhe mendonte se gruaja e tij e tradhtonte. Nga ana tjetër, pak orë para krimit, agresori kishte postuar foto me gruan e tij në rrjetet sociale.
Rastet në Itali
29 gusht 2023
Një 35-vjeçare shqiptare u vra në mes të rrugës, teksa po kthehej nga puna në provincën Casterlfiorentino të Firences në Itali. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 20:00 të mbrëmjes së 29 gushtit 2023. Mediat italiane e identifikuan viktimën si Klodiana Vefa, me leje të rregullt qëndrimi.
Vrasja ndodhi në rrugën “Galvani”. Ishin disa rezidentë të zonës ata që njoftuan për vrasjen, pasi dëgjuan të shtëna me armë. Vrasësi ishte sërish bashkëshorti.
28 tetor 2023
Një shqiptar tentoi të mbyste gruan e tij pas një debati. Por pasi pa seriozitetin e situatës ai lajmëroi menjëherë ambulancën dhe gruaja u dërguar në spital në gjendje të rëndë.
Fatkeqësisht Etleva Bodi, 31 vjeçe nuk ia doli.
Nëna e 4 fëmijëve ndërroi jetë pas dy ditëve agoni në Spitalin e Savonës. Selami Bodi, 41 vjeç, bashkëshorti i të ndjerës u arrestua. Etleva dhe bashkëshorti i saj kishin pasur një debat të dhunshëm për arsye xhelozie.
Gruaja ndodhej në dhomën e saj dhe po fliste në telefon. I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën dhe i vuri duart në fyt duke u përpjekur ta mbyste.
19 dhjetor 2023
Një tjetër histori tronditëse ndodhi në Itali, kur një 27-vjeçare u vra me thikë nga një shqiptar. Mediat italiane raportuam se 27-vjeçarja Vanesa Ballan ishte sulmuar me thikë, ndërsa po hynte në banesën e saj në provincën e Trevisos. Në trupin e viktimës u konstatuan shtatë plagë thike në pjesë të ndryshme të trupit. Viktima ishte në muajin e tretë të shtatzanisë, në pritje të fëmijës së dytë, ndërsa fëmijën e parë e kishte në moshën 4-vjeçare.
Ajo ishte e martuar që nga viti 2013 me Nicola Scapinello-n, njësoj si ajo, me origjinë nga Castelfranco Veneto. Çifti ishte zhvendosur në Riese disa vite më parë, ku Vanessa punonte si asistente shitjesh në një supermarket. Autor i krimit të rëndë rezultoi shqiptari nga Kosova, Bujar Fandaj, i cili banonte në qytetin e afërt Altivole. Shkak i krimit ishte xhelozia, pasi viktima kishte pasur një lidhje me të dhe ishte ndarë, ndaj 41-vjeçari u hakmorr.
13 gusht 2021
Një 55-vjeçar shqiptar vrau bashkëshorten dhe më pas u vetëvra. Shkëlqim Bedeli, së pari i mori jetën gruas së tij 54-vjeçare, Shegushe Paeshti dhe pastaj edhe vetes. Ngjarja ndodhi në fshatin Calino, në një shtëpi dykatëshe me një oborr të brendshëm.
Burri, me origjinë shqiptare la dy letra të shkruara në kompjuter: njëra drejtuar fëmijëve të tij dhe tjetra autoriteteve. Ai shpjegoi se çifti kishte krijuar mosmarrëveshje të pariparueshme dhe se për të mënyra e vetme për t’i dhënë fund situatës ishte vdekja.
19 prill 2021
Një krim makabër ndodhi në provincën e Viçencës, në Itali, ku shqiptari 51-vjeçar Gëzim Alla qëlloi për vdekje me çekiç bashkëshorten e tij 39-vjeçare, Doriana Alla.
Pas vrasjes, autori telefonoi policinë, ku pranoi krimin. Gjatë përleshjes, në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e çiftit, 9 dhe 13 vjeç, të cilët nga frika ishin mbyllur në tualet.
Nga dëshmitë e tyre, duket se ata nuk e kishin parë skenën makabër të krimit, ndërsa autoritetet i zhvendosën te disa familjarë të tjerë që jetojnë në Itali. Nga viti 2017, kjo familje ishte transferuar në komunën Pove Del Grappa, ndërsa 51-vjeçari punonte si murator në zonë.
7 maj 2023
Personat që po shihni më poshtë janë anëtarët e familjes shqiptare që u përfshinë në një tragjedi shokuesr me dy të vrarë dhe një të plagosur. Taulant Malaj vrau të bijën, Gessica Malaj dhe plagosi gruan e tij, Tefta Malaj.
Gjithçka ndodhi në Torremaggiore, në zonën e Foggia-s.
45-vjeçari shqiptar që punonte si bukëpjekës po kthehej në banesë, në Torremaggiore, në zonën e Foggia, por në shkallë hasi italianin me të cilin dyshonte se e tradhtonte gruaja, Massimo De Santis, 51 vjeç.
Këtë të fundit ai e qëlloi me një thikë dhe më pas me të njëjtën thikë të lyer me gjak, u fut në banesë ku vrau të bijën e plagosi të shoqen. Malaj tentoi të arratisej, por karabinierët e vunë në pranga. Shkak i krimit ishte xhelozia, pasi çifti prej kohësh nuk shkonin mirë.
21 nëntor 2021
Një shqiptar tjetër vrau ish-gruan e tij për xhelozi, Mynevere Karabollaj, 37 vjeçe (e njohur si Vera) dhe të dashurin e saj Flonino Merkuri, 23 vjeç.
Masakra që ndodhi në Spinea të Italisë ka për autor ish-bashkëshortin e 37-vjeçares Viron Karabollaj, i cili pasi ekzekutoi ish-gruan dhe Mërkurin u largua me makinë për t’u gjetur më pas i vetëvrarë në një kompani në Chirignago, pranë Venecias, ku edhe punonte.
Rastet në Britaninë e Madhe
17 qershor 2019
Gjykata e Anglisë do të dënonte me 19 vite burg shqiptarin Fatos Xheta, i cili vrau gruan Safie Xheta rreth 6 muaj para vendimit, në Oksford të Britanisë së Madhe. Gjykata arriti në përfundimin se Xheta ishte xheloz për gruan e tij. Kjo u vu re edhe në shënimet që iu gjetën në banesë.
Disa muaj para se të gjendej e vdekur, Safia u kishte treguar miqve të saj se bashkëshorti e kishte rrahur aq shumë saqë i kishte krijuar të nxira në fytyrë dhe i kishte thyer telefonin. Kohët e fundit, Fatosi ishte bërë “kontrollues” dhe “i dyshimtë” dhe mendonte se gruaja e tij e tradhtonte. Ai nuk donte që ajo të rrinte gjatë në Facebook.
31 janar 2016
Një shqiptar 31-vjeçar u arrestua në Islington të Anglisë, për vrasjen e një vajze të re. Arben Rexha, 31 vjeç, rezident në Angli vrau shtetasen Elidona Demiraj, 25 vjeçe, ish-partnere e tij, në një apartament në Islington, Londër. Arben Rexha e kreu krimin pranë City Road, të dielën e 31 janarit 2016.
Elidona Demiraj u gjet me një plagë në fyt të shkaktuar nga një armë e ftohtë, tip thikë. Vajza vdiq në vendin e ngjarjes. E ndjera kishte rreth dy muaj që jetonte në një bllok pallatesh në rrugën “Graham”.
24 shkurt 2016
Një shqiptar në Angli mbyti gruan e tij për shkak të xhelozisë që kishte, pasi ajo shpenzonte shumë kohë në Facebook. Agim Isaku, 40 vjeç banues në Middlesex u shpall fajtor për vdekjen e gruas së tij Elife Beqa (33 vjeç) nga gjykata britanike.
Në fillim ai kishte detyruar gruan e tij të braktiste punën, më pas kishte filluar të ushtronte rregullisht dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Pasi e vrau, telefonoi në polici duke u rrëfyer krimin autoriteteve.
Rastet në SHBA
21 qershor 2023
Një krim i dyfishtë ndodhi në Huntertown të Indiana të SHBA, ku 49-vjeçari shqiptar, Arben Gllafce dhe bashkëshortja e tij 48-vjeçar Arjana u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre.
Sipas hetuesve 49-vjeçari vrau gruan e tij me armë dhe më pas u vetëvra. Policia mori një telefonatë nga një dëshmitar dhe kur shkoi në vendngjarje gjeti dy trupat e pajetë të çiftit. Çifti i shqiptarëve kishin dy djem, nga të cilët njëri 24 vjeç dhe një tjetër në moshë minorene.
30 janar 2024
Një tjetër krim i rëndë në familje shqiptare ndodhi në Clearwater, Florida të SHBA-ve, ku një 34-vjeçar shqiptar vrau me thikë ish-partneren e tij. Sipas të njëjtave burime, Renato Muhaj i mori jetën Suela Saliajt, bankiere dhe më pas rrëmbeu vajzën e tyre 8 vjeçe. Muhaj goditi dy prindërit e tij dhe u mori celularët në mënyrë që ata të mos telefononin policinë.
Kur forcat e policisë mbërritën në banesën e Muhajt gjetën të lidhur të dy prindërit, por asnjë gjurmë të 34-vjeçarit. Më pas ata lajmëruan kolegët që të kontrollonin banesën e ish-partneres së tij. Me mbërritjen në shtëpinë e saj ata e gjetën 32-vjeçaren të shtrirë në dhomën e gjumit dhe të mbuluar me gjak. Sipas të dhënave, ajo ishte goditur me thikë në fyt dhe një dorezë tunxhi.
Shkak dyshohet se u bënë mosmarrëveshjet pas ndarjes, si dhe burgosja e autorit dhe problemet me drogën. /ZOOM.AL/