zoom

Ide & Blog

Wall Street Journal: Pse Trump përbën një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së

Kur u emërova këshilltar për sigurinë kombëtare nga presidenti Donald Trump në vitin 2018, supozova se rëndësia e përgjegjësive që kishte do ta disiplinonte. Por gabova. Qasja e tij kaotike ndaj qeverisjes dhe idetë e tij të rrezikshme, kërcënojnë seriozisht sigurinë e SHBA-së.

Votuesit republikanë duhet ta kenë parasysh këtë gjë. Fokusi i vetëm i qëndrueshëm i Trump është tek vetvetja. Ai i barazonte pa asnjë dallim, marrëdhëniet e mira personale me liderët e huaj me marrëdhëniet e mira midis vendeve. Marrëdhëniet personale janë të rëndësishme.

Por koncepti se ato mund të ndikojnë tek udhëheqës si Vladimir Putin , Xi Jinping dhe të ngjashmit e tyre është tejet i gabuar. Trashëgimia më e rrezikshme e Donald Trump, është përhapja e “virusit” të izolacionizmit në gjirin e Partisë Republikane.

Disa kohë më parë, demokratët bënë një shkrirje jo-koherente të qasjes së izolacionizmit me atë të multi-lateralizmit pa dallim. Në rast se izolacionizmi bëhet pikëpamja dominuese në mesin e republikanëve, atëherë Amerika është në telashe të mëdha. Kriza më emergjente përfshin Ukrainën.

Përgjigja e dobët e Barack Obama-s ndaj agresionit të Moskës në vitin 2014, ndikoi shumë në sulmin në shkallë të gjerë të Putinit në vitin 2022. Por një faktor nxirës për Moskën, ishte edhe sjellja e Donald Trump. Ai e akuzoi Ukrainën për bashkëpunim me demokratët kundër tij në presidencialet e vitit 2016 dhe kërkoi reagim.

Nuk pati një të tillë, pasi nuk ekzistonte asnjë komplot i tillë. Ndihma e presidentit aktual Joe Biden për Ukrainën ka qenë pjesë-pjesë dhe jo strategjike. Ndërkohë, është thuajse e pashmangshme që politika e mandatit të dytë të Trump ndaj Ukrainës, do të favorizonte Rusinë.

Deklaratat e Trump, se ai ishte “më i ashpër” ndaj Rusisë se presidentët e mëparshëm janë të pasakta. Administrata e tij vendosi sanksione të mëdha, por ato u nxitën nga këshilltarët dhe u zbatuan vetëm pas këmnënguljes së tyre. Edhe deklaratat e tij se Putin nuk do ta kishte pushtuar kurrë Ukrainën po të ishte ri-zgjedhur në vitin 2020, janë mendime të dëshiruara. Lajkat e Putinit e kënaqin Trumpin. Kur Putin e përshëndeti deklaratën e tij vitin e kaluar, mbi përfundimin e shpejtë të luftës në Ukrainë, Trump tha:“Më pëlqen që ai e tha këtë. Sepse kjo do të thotë që ajo që po them është e drejtë”. Ndaj Vladimir Putinit do t’i pëlqente shumë një mandat të dytë i Trump.

Një rrezik edhe më i madh është se Trump do të vënë jë jetë dëshirën e tij për ta tërhequr SHBA-në nga NATO. Ai iu afrua kësaj në vitin 2018.  Gjykata e Lartë nuk ka vendosur kurrë prerë, nëse presidenti është në gjendje të shfuqizojë traktatet e ratifikuara nga Senati, gjë që presidentët e kanë bërë rregullisht.

Ligjet e miratuara së fundmi për ta penguar Trumpin nga tërheqja e mundshme nga NATO pa pëlqimin e Kongresit, ka të ngjarë të mos i mbijetojë ankimimit në gjykatë. Dhe kjo mund të përshpejtojë një krizë kushtetuese dhe do të kërkojë vite nëpër shkallët e gjyqësorit.

Donald Trump nuk ka gjasa të pengojë aksin Pekin-Moskë. Ndërsa ai tërhoqi vëmendjen ndaj kërcënimit në rritje të Kinës, kufizimet e tij konceptuale e çuan në formula të thjeshtëzuara (tepricat tregtare janë të mira, deficitet të këqija).

Fjalimi i tij i ashpër, i dha mundësi të tjerëve ta vinin theksin tek shkeljet e mëdha të bëra nga kinezët, përfshirë vjedhjen masive të pronës intelektuale perëndimore, politikat tregtare merkantiliste, manipulimin e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe “diplomacinë e borxhit”, e cila i bën peng të Pekinit vendet që pranojnë me mendjelehtësi investimet kineze.

Që të gjitha këto janë kërcënime reale, por është e dyshimtë nëse Trump është i aftë t’u kundërvihet atyre. Tek e fundit, kokëfortësia e Pekinit dhe nxitja impulsive e Trump për një publicitet personal, përjashtuan edhe mundësinë më të vogël që ekzistonte për të shmangur abuzimet ekonomike të Kinës.

Në mandatin e dytë, Trump ka të ngjarë të vazhdojë të kërkojë të arrijë “marrëveshjen e shekullit” me Kinën, ndërsa proteksionizmi i tij, përveçse është një politikë ekonomike e keqe, do ta bënte më të vështirë përballimin e sfidës së Pekinit. Luftërat tregtare që ai zgjodhi të nisë me Japoninë, Evropën dhe të tjerët, e dëmtuan aftësinë tonë për ta shtuar presionin kundër shkeljeve të rregulloreve nga Kina.

Rreziqet afatshkurtra të Kinës për të prodhuar një krizë mbi Tajvanin, do të rriteshin shumë. Xi po e vëzhgon me kujdes luftën në Ukrainë, dhe mund të inkurajohet nga dështimi i Perëndimit atje. Një pushtim i ishullit nuk ka gjasa të ndodhë, por marina e Kinës mund ta izolojë  ishullin, dhe ndoshta të pushtojë ishujt tajvanezë pranë Kinës kontinentale.

Humbja e pavarësisë së Tajvanit, që së shpejti do të pasonte dështimin e SHBA-së për t’i rezistuar bllokadës së Pekinit, mund të bindë vendet pranë Kinës që të zbutin raportet me Pekinin duke shpallur neutralitetin. Rënia e Tajvanit, do ta inkurajonte Pekinin të finalizonte aneksimin e pretenduar të pothuajse gjithë Detit të Kinës Jugore.

Shtetet bregdetare si Vietnami dhe Filipinet, do të ndalnin rezistencën e tyre. Tregtia me Japoninë dhe Korenë e Jugut, sidomos me naftën e Lindjes së Mesme, do t’i nënshtrohej kontrollit kinez, dhe Pekini do të kishte një qasje gati të plotë në Oqeanin Indian, duke e rrezikuar Indinë.

Dhe imagjinoni euforinë e Trump për rifillimin e kontaktit me Kim Jung Un të Koresë së Veriut, për të cilin ai u mburr dikur se “ne ramë në dashuri”. Trump i ofroi Phenianit të gjitha lehtësirat që kërkon, dhe mund të provojë ta bëjë sërish këtë. Një marrëveshje e pamatur mbi armët bërthamore, do të distanconte Japoninë dhe Korenë e Jugut, do të zgjeronte ndikimin e Kinës, dhe do të forconte aksin Pekin-Moskë.

Siguria e Izraelit, mund të duket një çështje, për të cilën vendimet dhe retorika e mandatit të parë të Donald Trump, duhet të ngushëllojnë edhe kundërshtarët e tij. Por që nga sulmet e 7 tetorit, ai e ka kritikuar ashpër kryeministrin Benjamin Netanyahu, dhe nuk ka asnjë fushë të politikës së jashtme, në të cilën mungesa e kufizimeve elektorale, mund ta çlirojë aq shumë Trumpin sa mbi Lindjen e Mesme.

Madje ekziston rreziku i një marrëveshjeje të re me Teheranin. Trump gati iu bind lutjes së presidentit francez Emmanuel Macron për të takuar Ministrin e Jashtëm të Iranit në gushtin e vitit 2019. Trump negocioi me talebanët marrëveshjen katastrofike të tërheqjes tonë ushtarake nga Afganistani, të cilën Biden e respektoi.

Mbivendosja e pikëpamjeve të Trump dhe Biden mbi Afganistanin, tregon mungesën e ndonjë filozofie mbi sigurinë kombëtare nga ana e Donald Trump. Edhe në hemisferën perëndimore, Trump nuk ndryshoi politikat e administratës Obama për Kubën dhe Venezuelën.

Afërsia i tij për udhëheqësit autoritarë, mund të çojë në një marrëveshje me Nicolás Maduron, dhe me cilindo figurë autoritare që sundon në Havanë. Duke pasur parasysh mendësinë izolacioniste dhe të shkëputur nga realitetit të Trump, janë të gjitha arsyet që të dyshohet në mbështetjen e tij për ndërtimin e mbrojtjes që na nevojitet urgjentisht.

Në fillim, ai besonte se mund të reduktonte shpenzimet e mbrojtjes, vetëm sepse aftësitë e tij si negociator mund të reduktonin kostot e blerjes së armëve të reja. Edhe pse e rriti buxhetin e mbrojtjes, ai shfaqi një shqetësim të madh për të, kryesisht nën ndikimin e ligjvënësve me pikëpamje izoloacioniste.

Në një rast ai shkroi në Twitter se buxheti i tij ushtarak ishte “marramendës” dhe se ai, Putin dhe Xi, duhet të diskutonin për të parandaluar një garë të re armatimesh. Trump nuk është dashamirës ndaj ushtrisë. Në biseda private, ai i druhej drejtuesve të saj. Një mandat i dytë i Trump, do të sillte një politikë kaotike dhe udhëheqje të pasigurt, të cilat aleanca Kinë-Rusi do të ishte shumë e etur për t’i shfrytëzuar.