zoom

Politikë

Raporti i TI, deputetja Tabaku: Pushteti i qeverisë është kthyer në kërcënim real

Deputetja Jorida Tabaku është shprehur se raporti i Transparency International tregoi shqetësimin më të madh dhe krizën më të madhe që kanë sot institucionet, “pamundësia e Parlamentit për të kontrolluar dhe mbikëqyrur Qeverinë”.

Ligjvënësja demokrate thekson se pushteti i gjithëpushtetshëm i Qeverisë po kthehet në një problem real e kërcënim real për korrupsionin.

Tabaku shton se dy ligjet që po diskutohet në Parlament të propozuara nga deputetët socialistë, ai i investimeve strategjike dhe i zonave të mbrojtura, “vijnë nga sirtari i se di kujt, por prekin xhepat e të gjithë shqiptarëve”.

Ajo i konsideroi si ligje klienteliste dhe korruptive, duke theksuar se në zonat e mbrojtura do ti hapet rrugë investimeve strategjike.

“Raporti i djeshëm i Transparency International tregoi shqetësimin më të madh dhe krizën më të madhe që kanë sot institucionet: pamundësia e Parlamentit për të kontrolluar dhe mbikëqyrur Qeverinë. Pushteti i gjithëpushtetshëm i Qeverisë i cili shtrihet fatkeqësisht dhe në Parlament është duke u kthyer në një problem real e kërcënim real për korrupsionin.

Çfarë po ndodh ndërkohë në Parlament? 2 iniciativa, të dyja të propozuara nga deputetë socialistë, janë duke u diskutuar. I pari është ligji i investimeve strategjike, i cili nisi në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm por po shtyhet për herë të pestë me propozim deputeti për të vazhduar për ti hapur rrugë aseteve publike e private të cilat tashmë do jenë përsëri në shitje sepse ky është një ligj klientelist e korruptiv. Unë e shoh të lidhur dhe me ligjin e zonave të mbrojtura.

Po një grup deputetësh socialistë kanë kërkuar që të hiqet mbrojtja dhe lejimi i zhvillimit deri në 20%. Një ligj i cili vjen pa konsultime, me shqetësimin e shoqërisë civile, një ligj që dhe sot ndërkohë që flasim nuk ka absolutisht asnjë përmirësim, i cili është dhe në shkelje të legjislacionit të BE-së, gjithashtu i lidhur me ligjin e investimeve strategjike do të thotë se në këto zona të mbrojtura do ti hapet rrugë investimeve strategjike. Kjo është kriza më e madhe që ka sot Shqipëria.

Unë e di që njerëzit janë të shqetësuar për xhepin e tyre, për ekonominë e tyre por çdo gjë lidhet me krizën e korrupsionit, lidhet me krizën e kapjes së shtetit që në thelb ka këto dy ligje: ligje që vijnë nga sirtari i se di kujt por ligje që prekin xhepat e të gjithë shqiptarëve”, shprehet Tabaku.