zoom

Aktualitet

Mashtroi 3 pronarë biznesesh në Maliq dhe u zhvati 160 mijë lekë, arrestohet 34-vjeçarja

Një 34-vjeçare ka përfunduar në pranga pasi akuzohet se ka mashtruar 3 pronarë biznesesh, duke u vjedhur para.

Nga hetimet e kryera rezulton se 34-vjeçarja ka shkuar në bizneset e shtetaseve F. M., I. F. dhe M. D., në qytetin e Korçës dhe në fshatin Pirg, Maliq, dhe dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përfituar prej tyre, në total 160 000 lekë të rinj.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura dy javët e fundit në Korçë dhe Maliq, ku një shtetase kishte përfituar shuma parash nga pronaret e tre bizneseve, duke i mashtruar ato, koordinuan veprimet me qëllim kapjen e kësaj shtetaseje dhe vënien e saj përpara përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në pranga ra e dyshuara në kërkim R. L., 34 vjeçe, banuese në Korçë, ndaj të cilës Prokuroria Korçë ka urdhëruar ndalimin për veprën penale “mashtrimi”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/