zoom

Politikë

“SPAK pjesë e skemës”, Këlliçi: Paratë e inceneratorëve fluturuan në Maltë

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi denoncoi sërish aferën e inceneratorëve.

Nga selia e PD, Këlliçi tha se Mirel Mërtiri kishte krijuar një skemë të mirëmenduar trekëndore për qarkullimin e parave jashtë vendit.

“Pra, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto qarkullojnë përmes kësaj skeme dhjetëra miliona euro, ndryshe nga sa pretendonte Prokuroria shqiptare se paratë kanë lëvizur kesh me çanta” tha Këlliçi.

Ai shtoi se SPAK nuk po vepron për shkak se është palë në këtë skemë.

Denoncimi i Këlliçit

“Sot jam këtu për të bërë një tjetër denoncim të veprimeve mafioze që lidhen me aferën e inceneratorëve. Gllabërimi i parave të shqiptarëve përmes një skeme të mirëmenduar të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, që nis me miratimin e kontratave koncesionare dhe më pas bllokimin e Njësive të Zbatimit të Projektit, duke e bërë të pamundur të zbuloheshin se ku përfundonin paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Në vitin 2017 Mirel Mërtiri krijon kompaninë e radhës në Maltë, të quajtur Sien Group LTD. Vetëm disa muaj më vonë, kjo kompani lidh kontrata me të tre inceneratorët, atë të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës në vlera marramendëse. Kontrata e Fierit për shembull është në vlerën e 23 milionë eurove për blerjen e të gjithë makinerive dhe pajisjeve. Në Elbasan është për mirëmbajtjen; kurse në Tiranë kontrata është për biznesin e ri të Erion Veliajt, ku do të detyroheshin të gjitha subjektet tregtare të pajiseshin me qese të specializuara për mbetjet.

Arsyeja përse u krijua kompania në Maltë, është për të ndërtuar një skemë trekëndore për qarkullimin e parave jashtë Shqipërisë. Kjo faktohet edhe përmes një komunikimi elektronik të datës 17 tetor 2018.

Vetëm 16 ditë pas nënshkrimit të kontratës me inceneratorin e Fierit, përfaqësuesja e kompanisë konsulente të Sienit, i thotë Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos: “veçanërisht pas verifikimeve të bëra me doganat e Shqipërisë nga Eltoni (Bualli), kontrata e vendosur prej jush, mund të procedohet. Siç na keni thënë, makineritë duhet të udhëtojnë me sistemin trekëndor, por të gjithë furnitorët duhet të njoftohen paraprakisht, pasi dokumentacioni origjinal do të mbahet në Maltë, sepse kompania Sien është subjekt kontrolli i Departamentit të TVSH të doganës malteze.”

Pra, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto qarkullojnë përmes kësaj skeme dhjetëra miliona euro, ndryshe nga sa pretendonte prokuroria shqiptare se paratë kanë lëvizur kesh me çanta.

Të dashur qytetarë…U bënë disa muaj që vazhdojmë të denoncojmë me dokumente, të përcjella zyrtarisht tek Altin Dumani, drejtues i SPAK, dhe ende nuk kemi asnjë zhvillim të ri, apo hetime të thelluara për aferën më të madhe të shekullit.

Pyetja që me të drejtë bën sot çdo shqiptar është: Përse nuk kërkon SPAK anulimin e kësaj kontrate korruptive, e cila vijon të vjedhë miliona euro të taksapaguesve shqiptarë çdo muaj?

Përse nuk merren masa konkrete për bllokimin e aseteve financiare të përfituara në mënyrë të paligjshme nga biznesi i dherave, që vazhdojnë të ushqejnë me para avokatët publikë, që ende kanë kurajo të mbrojnë inceneratorët që nuk ekzistojnë, por edhe linçojnë e baltosin çdo individ që denoncon këtë skemë kriminale?

Për sa kohë SPAK nuk vepron, automatikisht bëhet palë me autorët e kësaj skeme. Është në përgjegjësinë e këtij të fundit të provojë të kundërtën. Provat dhe faktet e pakundërshtueshme, i kanë çdo ditë në tavolinën e tyre të punës.”, tha Këlliçi.