zoom

Aktualitet

Vdekja e 3-vjeçarit në duart e mjekëve Xhaxho, familja kërkon largimin e prokurores Felaj

Familjarët e Brian Spahisë, të miturit që humbi jetën pas shërbimit të mjekut Roland Xhaxho dhe së bijës së tij, kanë kërkuar largimin e prokurores Alma Felaj nga çështja.

Në një intervistë në Report TV, i ati Bledar Spahia thotë se Alma Felaj kërkon të deformojë çështjen dhe për këtë ka pasur edhe një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, ku i ka kërkuar largimin e saj nga çështja e djalit.

“Me drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës kemi folur në lidhje me prokuroren e çështjes Alma Felaj, ajo duhej të tërhiqej nga kjo çështje se nuk është e aftë ti japë zgjidhej çështjes. Me gjithë këto fakte që kanë dalë ajo nuk ka vepruar ndërkohë që më datë 6 tetor ka bërë kontrollin tek klinika ‘Splendent’ e Xhaxhos dhe në dijeninë time kjo klinikë ka qenë pa licencë. Sot e kësaj dite ajo klinikë vepron, mbush dhëmbët e njerëzve që nuk e kanë marrë vesh se çfarë ka ndodhur në atë klinikë”, tha Bledar Spahiu.

Sipas tij prokurorja i ka fshehur 11 ditë rezultatet e aktit të ekspertimit të parë që u publikuan në muajin nëntor.

“Unë i kam marrë informacionet vetë. Nga prokurorja s’kam marrë asnjë informacion, as aktin e ekspertimin ajo donte ta fshihte. Unë e kam marr vesh nga mediat, 11 ditë më ka mbajtur pezull nuk më ka treguar”, tha ai.

Babai i 3 vjeçarit Bledar Spahia është dhe kundër propozimit të prokurores për një ekspertizë të dytë me ekspertë të huaj

“Akt ekspertimi nr 1 ka dalë shumë në rregull, sipas bindjes time e shumë të tjerëve. Konkluzioni I tyre është që djali ka vdekur sipasojë e lëndës anestezike. Për arsye të prokurores që do të vonojë çështjen e ta çojë jashtë prokurorja kërkon të deformojë çështjen. E bën për të vonuar çështjen, asgjë tjetër. Do të prishë sa më shumë prova. Ekspertët mjekoligjorë shqiptarë e kanë bërë shumë saktë. Kur ajo nuk pranon ekspertët e shtetit shqiptarë si mund të pranoj unë ekspertizën e atyre që janë të një shteti të huaj? Kjo është e drejta ime. Ajo nuk pranon vendimin e një institucion shtetëror. Ata ekspertët janë grup, nuk është 1 apo 2 mjekë. Unë nuk i njoh por ajo do të deformojë dhe vonojë çështjen në maksimum.
“Prokurori më tha se do të konsultohej me prokuroren pasi nuk është në brendës të cështjes. Do të shohë dosjen dhe më pas do të veprojë. Nuk ka tagrin për ta hequr si prokurore të çështjes”

A ka folur me mjekun Xhaxho pas kësaj?

“Nuk kam kontaktuar dhe nuk ka pse të më kontaktojë. Ai më ka gënjyer për çdo gjë që atëherë. Nuk kam pse t’i besoj. Unë I kam thënë shprehimisht prokurores se ka ka qenë i paregjistruar dhe ajo nuk më ka kthyer përgjigje fare. I ka thënë avokati im shprehimisht se klinika nuk ka qenë e regjistruar para se të bëhej ndërhyrja e nuk ka reaguar fare”.

Si e ka licencën në 2019? Inspektoriati Shtetëror thotë shprehimisht që më 13 tetor 2023 nuk ka pasur licencë. Eshte e firmosur me vulë. Që kur ka dalë në media doktori i ka thënë gjërat gënjeshtra. I kam kërkuar ministrisë së Shëndetësisë dhe më ka konfirmuar se licencën e ka marrë më datën 31 tetor, pas 5 ose 6 aplikimeve të ndryshme që i janë refuzuar se nuk përmbushte kushtet. Herën e shtatë e ka marrë”
“Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, nuk e di kush mund të veprojë, se po fshehin provat, por jo ajo prokurore. Prokurorja Alma Felaj nuk më ka dhënë asnjë letër për të më informuar çfarë ka bërë, kë ka pyetur, cfarë ka bërë. Asgjë. As avokatit jo.Shteti shqiptar duhet të reagojë. Prokurorja Alma Felaj duhet të tërhiqet sa më shpejt se është e paaftë e po i shërben klanit Xhaxho. Nuk e di me çfarë po i shërben, por në mënyrë direkte po i shërben si avokate e tij

“E vërteta do të dalë sesbën. Kushdo që do të pengojë këtë do të marrë dënimin e merituar në çfarëdolloj forme do të marrë dënimin që Meriton. Kush shkel mbi çështjen e Brian Spahiut. Unë do e çoj me ligj deri në fund nëse shteti shqiptar nuk më jep zgjidhje do të veproj me të gjithë personat që shkelin këtë cështje, deformojnë a humbasin prova. Do të marrin dënimin e merituar në çdo lloj forme” tha Bledar Spahiu.
Brian Spahiu, vdiq në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor 2023, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën private Splendent, brenda ambjenteve të spitalit privat të Zemrës në Tiranë.

Babë e bijë, Roland dhe Ina Xhaxho janë në hetim në gjendje të lirë për veprën penale “Neglizhenca ne trajtim mjekësor”, që konsiderohet kundërvajtje penale dhe si e tillë në fazën fillestare nuk pranon masë sigurisë “arrest në burg”.