zoom

Aktualitet

Dyshohet se pastroi paratë e Ilir Beqajt, Ermal Mamaqi: Nuk jam përfshirë në asnjë skemë të tillë

Aktori dhe biznesmeni, Ermal Mamaqi ka reaguar pas akuzave se pastron paratë e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Në një postim në rrjetet sociale, aktori shkruan se lajmi është i rremë dhe se nuk është përfshirë në asnjë skemë të pastrimit të parave.

Ai thekson se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, ndryshe nga çfarë po përflitet, duke theksuar se “çdo subjekt i përfshirë do të ketë një ndjekje ligjore ku secili do përballet me pasojat që parashikon ligji”.

“Kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjëje. Dhe e vërteta ime është puna që bëj, sakrificat e mia, arti im”, shkruan Ermail Mamaqi.

“Nisur nga një lajm i rremë që po qarkullon së fundmi dua të bëj një sqarim për fansat dhe dashamirësit e mi, gjithashtu kam një kërkesë të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që në mënyrë të qëllimshme ose prej mungesës së profesionalizmit, kanë kontribuar në shumëfishimin e kësaj të pavërtete.

Nuk jam i përfshirë në asnjë skemë pastrimi parash dhe nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, ndryshe nga çfarë po përflitet.

Ky informacion i rremë, i shpërndarë nga disa media dhe gazetarë të cilët kanë shkelur me të dyja këmbët etikën dhe parimet e profesionit të tyre, ka shkaktuar dëme psikologjike, morale dhe ekonomike.

Për rrjedhojë, ju bëj thirrje që të përgënjeshtroni dhe fshini të gjithë lajmet në adresën time lidhur me këtë çështje, pasi në të kundërt, ndaj çdo subjekti të përfshirë do të ketë një ndjekje ligjore ku secili do përballet me pasojat që parashikon ligji.

Ndërsa atyre që janë angazhuar në fyerje dhe shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes, dua t’ju them se nuk është kjo mënyra për t’u ndjerë më mirë, apo për të ngushëlluar veten.

Kush ka të vërtetën me vete nuk i trembet asgjëje. Dhe e vërteta ime është puna që bëj, sakrificat e mia, arti im”, shprehet ai, duke mohuar akuzat.

Aktori i humorit akuzohet se ka dalë në hetimet e SPAK, si pjesë e skemës së pastrimit të parave me ish-ministrin Beqaj, duke lëshuar disa fatura fiktive nga biznesi ku ai është 50% aksioner./ Zoom.al