zoom

Aktualitet

Pas zjarrit në Lushnje, nesër nis aksion kombëtar në çdo objekt për sigurinë

Pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu një qendër tregtare në Lushnje, duke shkaktuar dëme të shumta materiale, qeveria është mobilizuar në një aksion kombëtar për të garantuar sigurinë.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla njoftoi se nga nesër (4 janar), në të gjithë vendin do të dalin trupa inspektimi në çdo objekt për të kontrolluar sigurinë që ofrojnë dhe për të ndërhyrë në rastet që përbëjnë rrezik.

“Në ushtrim të kompetencave si Ministër i Brendshëm për orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, kam udhëzuar sot një inspeketim në shkallë vendi të masave dhe mjeteve për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimi.

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, njësitë e MZSH-së në çdo bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në çdo bashki janë udhëzuar sot të kontrollojnë prej nesër dhe në mënyrë periodike masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt, me kritere specifike sipas nivelit të rrezikut”, tha Taulant Balla.

Zjarri i pak ditëve më parë në Lushnje shkrunboi një ndërtesë 12 katëshe, duke asfiksuar disa persona që përfunduan në spital, por fatmirësisht nuk u regjistruan humbje jete.