Të paktën 45 deputetë të opozitës kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për Rregulloren e re të Kuvendit, që parashikon përjashtim deri në 60 ditë të deputetëve që kryejnë akte dhune.
Në listë përfshihen edhe ligjvënës të grupit të Lulzim Bashës. Më poshtë kërkesa e plotë.
Kërkesa e deputetëve të opozitës:
KËRKUES: 45 DEPUTETË TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË (JO MË PAK SE 1/5 E DEPUTETËVE), me adresë njoftimi: Kuvendi i Shqipërisë, Blv. Dëshmorët e Kombit Nr. 4, Tiranë.
SUBJEKTE TË INTERESUARA:
KUVENDI I SHQIPËRISË, me adresë njoftimi: Blv. Dëshmorët e Kombit, Tiranë.
OBJEKTI:
- Shfuqizimi i vendimit nr. 126/2023 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.
- Pezullimin e vendimit nr. 126/2023 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.
BAZA LIGJORE:
Nenet 1, 2, 4, 17, 42, 70, 75, 83, 116, 83, 131 dhe 134 të Kushtetutës së Shqipërisë:
Nenet 49 dhe 50 të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
Nenet 28 dhe 117 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.