Aplikacion
Ekzekutivi i BE-së e ka miratuar muajin e kaluar planin për Hungarinë, për shpenzim të 10.4 miliardë eurove për rimëkëmbje pas pandemisë, mirëpo lëshimi i pjesës më të madhe të fondeve, është pezulluar derisa Budapesti të përmbushë kushtet për zbatim të ligjit.
Megjithatë, rreth një milliard eurot nuk janë qenë të kushtëzuara, pati thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Veerle Nuyts, më 23 nëntor.
Drita e gjelbër vjen pasi Orbani është akuzuar se ka gatishmëri për t’i vënë veton ndihmës së BE-së për Ukrainën, dhe ta pengojë nisjen e bisedimeve të Kievit për anëtarësim në bllokun evropian, në një samit që do të mbahet javën e ardhshme, nëse nuk i zhbllokohen fondet vendit të tij.
Ministrat e Financave janë takuar në Bruksel për fondet e 13 shteteve, përfshirë planin për Hungarinë në vlerë të 10.4 miliardë eurove, përfshirë 6.4 miliardë euro si grante dhe 3.9 miliardë euro si hua.
Burime të BE-së kanë thënë se katër vende kanë abstenuar për planin e Hungarisë: Estonia, Letonia, Lituania dhe Holanda. Blloku mund të zhbllokojë më shumë fonde për Hungarinë, pasi Budapesti të marrë masa për ta forcuar pavarësinë e gjyqësorit, ka thënë një zyrtar i BE-së javën e kaluar.
Mes shqetësimeve në rritje se Orbani mund të prishë mundësinë e marrjes së vendimeve kyçe për Ukrainën në samitin e BE-së, që do të mbahet më 14-15 dhjetor, disa zyrtarë të lartë evropianë kanë vendosur të takohen me të.
Charles Michel, zyrtar i lartë i bllokut, është takuar me Orbanin më 27 nëntor, me qëllim të uljes së tensioneve, derisa presidenti francez, Emmanuel Macron e ka mirëpritur liderin hungarez të enjten në Paris./REL/