zoom

Aktualitet

Policët me SKY ECC, Balla firmos urdhrin dhe formularin e vetëdeklarimit: Përjashtim direkt!

Ashtu edhe siç raportoi “ZOOM.AL” paraprakisht në një artikull informativ të shtjelluar ditën e shtunë, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka miratuar urdhrin e posaçëm që ka të bëjë me vetëdeklarimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, AMP dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat.

Urdhri shoqërohet nga Formulari përkatës dhe është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë.

“Formulari i Vetëdeklarimit po u shpërndahet për plotësim, strukturave të mësipërme dhe do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve. Çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës”, thuhet në njoftim.

Dhe në fund ritheksohet: “Ministria e Brendshme është e vendosur për të çuar para përgjegjësisë ata punonjës të strukturave që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe grupet kriminale”.

Shkrimi në ZOOM:

11 mijë policë në rresht për të deklaruar nëse kanë pasur aplikacione “SKY” dhe ECC”

Thyerja e komunikimeve në aplikacionet “SKY” dhe “Encrochat – ECC” nga autoritetet franceze, ka zbuluar se pjesë e rrjeteve kriminale në Shqipëri ishin edhe efektivë të policisë, politikanë, prokurorë e gjyqtarë.

Një dosje voluminoze e marrë nga Franca ndodhet prej muajsh në zyrat e SPAK. Prokurorët e posaçëm po shqyrtojnë çdo komunikim për t’i lidhur ato me ngjarjet kriminale të ndodhura në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Zyrtarë të shumtë janë nën përgjim.

“Janë të paktën 70 drejtuesit dhe punonjësit e policisë që rezultojnë në komunikimet me këto aplikacione, që janë pjesë e sistemeve të disa telefonave të veçantë”, – thonë burime të besueshme për Zoom.al.

Zbulimet kanë vënë në vështirësi policinë.

Zoom.al mëson se për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Ministria e Brendshme po përgatisin një draft që do t’i detyrojë të 11 mijë efektivët e policisë se nuk kanë patur ndonjëherë në përdorim aplikacionet “Sky” dhe “Encrochat”.

Çdonjëri që do të deklarojë se nuk i ka përdorur, por nga përgjimet do të rezultojë se ka gënjyer, do të përjashtohet përjetë nga radhët e uniformave blu.

Deklarimi do të jetë në një formular të posaçëm dhe efektivët e policisë do të vihen në dijeni për pasojat që do të ketë deklarimi i rremë. Ata që do të pranojnë se kanë pasut të tilla aplikacione, do të thërriten për të dhënë detaje mbi arsyet që i kanë përdorur dhe personat me të cilët kanë komunikuar.

Për ata efektivë të policisë që kanë komunikuar me individë të inkriminuar dhe janë përfshirë në veprimtari kriminale, SPAK po heton paralelisht për të faktuar të dhënat që rezultojnë në këto komunikime.

Këto komunikime zbuluan se si shefi i krimeve në policinë e Shkodrës, Ardit Hasanbegaj, kishte bashkëpunuar me Pëllumb Gjokën dhe Behar Bajrin për të siguruar kushtet për vrasjen e shtetasve Dorian Dhuli dhe Ibrahim Licit.

Në të njëjtin operacion të SPAK u arrestua edhe drejtori i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita dhe disa personazhe të tjerë të botës së krimit.

POLICIA E INKRIMINUAR

Drejtues të lartë të policisë së shtetit u përfolën si të inkriminuar që në kohën kur Partia Socialiste, në opozitë, denoncoi me emra disa prej tyre, pas publikimit të një fotografie që i tregonte ata në një drekë me Arben Frrokun, një person të dënuar për vrasjen e ish -kryekomisarit Dritan Lamaj.

I njohur si grupi “çiftelia”, për shkak se në foto shfaqeshin duke kënduar me një çifteli, ai u bë etaloni i bashkëpunimit krim-polici për pak vite.

Por pak vite më vonë, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, disa prej “anëtarëve të këtij grupi” morën sërish poste të larta drejtuese në polici, ndërsa numri i drejtuesve të lartë, për të cilët pati dyshime se u përfshinë në afera kriminale, u shtua.

Të paktën 140 drejtues dhe efektivë të policisë dyshohet se u përfshinë në aktivitetin kriminal të kultivimit të kanabisit. Të dhënat, sipas disa burimeve, vijnë nga një raport sekret i SHISH, që iu dorëzua edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Përgjithshme, Qeverisë dhe disa Institucioneve të Sigurisë.

Qeveria Rama e mohoi këtë fakt, siç mohoi edhe masivitetin e kultivimit të kanabisit anekënd Shqipërisë pas shkatërrimit të Lazaratit.

Kanabisi, siç u provua nga vetë operacionet policore, lulëzoi gjatë kohës kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri, ndërsa policia nga Artan Didi, Haki Çako dhe Ardi Veliu.

Disa drejtues të lartë të policisë u arrestuan nën akuzën se kishin bashkëpunuar me grupet kriminale si në kultivimin ashtu edhe në trafikun e kanabisit. Habilajt, një grup i rrezikshëm që bashkëpunonte me mafian siciliane, u përgjuan duke përmendur edhe emrin e ministrit Tahiri. Ata dyshohet se kishin trafikuar 4 ton drogë gjatë kohës që Tahiri ishte ministër.

Me largimin e Tahirit policia nuk arriti t’i pastrojë radhët e saj. Siç tregojnë përgjimet e “SKY” dhe “ECC”, shumë efektivë me grada të larta janë bashkëpunëtorë të grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar, të përfshirë në vrasje e trafiqe të narkotikëve.

A do të mjaftojë vetëdeklarimi se nuk kanë pasur aplikacione “SKY” dhe “ECC” për t’i pastruar radhët? SPAK, të paktën, është në dijeni se cilët janë policët që përmenden në komunikime, cilët i kanë pasur këto aplikacione dhe cilët kanë bashkëpunuar me kriminelët edhe pa i pasur telefonat e veçantë të kyre aplikacioneve në përdorim. /Zoom.al/