zoom

Aktualitet

Gripi i shpendëve/ Shqipëria ndalon importin e tyre nga Kosova

Ministria e Bujqësisë ka ndaluar importin e shpendëve nga Kosova për shkak të gripit të shpendëve që është shfaqur prej kohësh në Kosovë.

“Për disa masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve (gripi i shpendëve) , të shfaqur në Kosovë, urdhërohet ndalimi i importit dhe tranzitimit nëpërmjet territorit Shqipërisë nga Kosova”, shkruhet në urdhrin që ka publikuar në fletoren zyrtare Ministria e Bujqësisë.

Në këtë urdhër shkruhet se është bërë ndalimi i importit dhe tranzitimit i shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24-orësh, shpendëve dekorativë, materialit biologjik të shpendëve, vezëve të shpendëve, mishit të shpendëve dhe nënprodukteve të shpendëve.

Ministria e bujqësisë shkruan se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet  të informojë rregullisht Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit dhe Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, për çdo ngarkesë të shpendëve të gjallë shtëpiakë dhe të egër, zogjve 24-orësh, shpendëve dekorativë, materialit biologjik, vezëve të shpendëve, mishit të shpendëve dhe nënprodukteve të shpendëve që vijnë nga Kosova, pasi është parë certifikata veterinare që tregon origjinën e ngarkesës së ardhur.

Më 16 nëntor është konfirmuar rasti i parë për këtë vit i gripit të shpezëve “Avian Influenza”, në një fermë komerciale në  fshatin Godancë Shtime në Kosovë.

Lidhur me këtë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim që zona në perimetër 3 kilometërsh nga kjo fermë të shpallet zonë karantine e ndalimit të lëvizjes se shpezëve, kurse zona në perimetër 10 kilometërsh të shpallet zonë nën mbikëqyrje për hulumtim.

Postime të lidhura