zoom

Ekonomi

EKSKLUZIVE/ “Turkish Airlines” publikon bilancet: “Air Albania”, miliona dollarë borxhe e humbje

“Naimi”, “Lasgushi” dhe “Migjeni” vazhdojnë të fluturojnë, por askush nuk e di se nga ku dalin dhe përfundojnë paratë.

Që nga viti 2018, kompania ku është aksioner edhe shteti shqiptar, “Air Albania” nuk ka asnjë pasqyrë financiare publike, me të ardhurat, shpenzimet, fitimet dhe humbjet, parashikuar në ligj. Prej 5 vitesh tashmë, mbetet mister gjendja financiare dhe likuidititeti i kësaj kompanie, që u prezantua si një projekt i suksesshëm nga qeveria Rama disa vite më parë.

Së fundmi, “Turkish Airline”, aksioner në kompaninë “Air Albania” me 49% të aksioneve, ka publikuar bilancet e 9-mujorit 2023, ku ndër të gjitha asetet, përfshin dhe ato që i takojnë nga kompania turko-shqiptare.

Në faqen 19 të dokumentit, versioni anglisht, theksohet se “humbjet nga ‘Air Albania’ nuk bëhen të ditura pas vitit 2019 dhe rrjedhimisht ajo nuk është llogaritur në bilanc”.

Gjithsesi në një nga tabelat përcaktohen borxhet afatshkurtra të “Air Albania”. (Nuk është e qartë nëse bëhet fjalë vetëm për pjesën që i takon “Turkish Airlines”).

Sipas tabelës, këto borxhe të kompanisë turko-shqiptare deri në fund të shtatorit 2023 rezultojnë 33 mln dollarë, 7 mln më shumë se ç’ishte borxhi total i vitit të shkuar. Në një tjetër tabelë, tregohet se në periudhën janar-shtator 2023, midis palëve pronare të “Air Albania” janë bërë transaksione me vlerë 8 mln dollarë.

Në versionin turk të bilancit, që supozohet të jetë kopje e atij anglisht, kompania “Turkish Airline” rezulton të ketë informacione mbi humbjet e “Air Albania”. Aty deklarohet se deri në shtator ka pësuar humbje me 9 mln lira turke, mbi 300 mijë dollarë. Përsëri nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për 100% të kompanisë apo vetëm për pjesën që adminsitrohet nga turqit.

Qendra Kombëtare e Biznesit, ku është regjistruar “Air Albania”, herë pas here rikujton bizneset, sidomos ato të mëdha të dërgojnë pasqyrat financiare brenda afateve të caktuara, përndryshe do të ketë penalizime. Linja ajrore ka kaluar çdo afat ligjor të mundshëm, 5 vite dhe askush nuk ka reaguar për të.

Së fundmi, në QKB arriti një njoftim nga Përmbaruesit privatë, të cilët e njoftuan se po sekuestrojnë Air Albania, pasi ishte debitore ndaj shtetasit turk, Sinan Isik, ish-numri dy i kompanisë.

Panorama sa vjen e bëhet më e zymtë për “Air Albania”, e cila me sekuestron e vendosur do e ketë të pamundur të blihet apo shitet në një tjetër kompani, për të dalë nga borxhet ku është zhytur.

Financat e Air Albania kanë qenë shpesh qendër e debateve publike, sidomos pasi kryeministri Edi Rama mori “hua” një avion, për udhëtime personale dhe jo vetëm. Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje, por sigurisht qeveria e pengoi atë.

Hakerat iranianë kanë zbuluar se kryeministri shqiptar ka udhëtuar 140 herë me charterin e pagëzuar me emrin Ismaili.

Opozita thotë se ka shpenzuar 22 mln euro, ndonëse ajo s’e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë çështje.

Nga ana tjetër, Zoom.al ka provuar se një avion si i Ramës shpenzon 15 mijë USD në një orë fluturim. Ai është një avion luksoz me dhomë gjumi dhe me 12 anëtarë ekuipazhi, të cilin nuk e kanë as kryeministra të vendeve anëtare të BE.

Zoom.al ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet shqiptare të tregojnë se sa para paguhen për udhëtimet luksoze të kryeministrit me avionin charter, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të japë të dhëna.

Ka dyshime se pas charterit të Ramës të qëndrojë kompania Air Albania, e cila, ndonëse është përmendur vazhdimisht për këtë çështje nuk e ka sqaruar asnjëherë pozicionin e saj. /Zoom.al