zoom

Ekonomi

Nga udhëtimet e Rames tek mungesa e bilanceve/ Air Albania nën sekuestro nga borxhet e papaguara

Kompania Air Albania është vënë nën sekuestro për shkak të detyrimeve të pashlyera. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, një nga zyrat përmbarimore private ka dërguar shkresën e ekzekutimit për sekuestron e aksioneve të kompanisë turko-shqiptare.

Sipas dokumentit, kreditori është Sinan Isik, ish-zv.drejtori i Air Albania, që e la punën vitin e shkuar. Nuk ka asnjë vlerë se sa është detyrimi i kompanisë ndaj turkut Isik, por deri në shlyerjen e asaj shifre, Air Albania nuk mund të shitet dhe blihet.

Air Albania ka pronar shtetin shqiptar në 10% të aksioneve.

Më herët, Zoom.al ka shkruar se kompania e shitur si një sukses gjigand i qeverisë Rama, është në prag të falimentimit dhe kjo për shkak të shpenzimeve të pakontrolluara dhe disa operacioneve të fshehta për të fshehur shpenzimet me avionin charter që përdor kryeministri i vendit.

Burimet e Zoom.al raportojnë se kompania nuk ka më likuiditet qarkullues për të operuar dhe për këtë arsye ka prekur kapitalin e investitorëve, të cilët janë Turkish Airlines me 49 %, biznesmeni shqiptar Sinan Idrizi me 41 % dhe shteti shqiptar me 10 % nëpërmjet kompanisë Albcontrol.

Gjatë kësja kohe, Air Albania ka shkelur ligjin “Për Regjistrimin e Biznesit”, pasi ka më shumë se 4 vite që nuk pasqyron bilancet e saj në QKB. Deklarimi i fundit i bilanceve në Qendrën Kombëtare të Biznesit daton më 30 korrik të vitit 2019. Bilanci i fundit është ai për vitin 2018 me 12,265,000 lekë humbje neto. Për 4 vite të tjera, kompania nuk raporton asnjë të dhënë financiare.

Nuk është e qartë nëse në borxhet e Air Albania ndaj Isik përfshihen edhe ato që ka qeveria shqiptare ndaj “Air Albania”,për shkak të përdorimit të një prej avionëve të saj nga kryeministri Edi Rama, si charter privat. Përllogaritet që këto borxhe arrijnë në 5 milionë euro. Në përpjekje për të verifikuar këto të dhëna, Zoom.al i ka kërkuar vazhdimisht informacion Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, për shumat që ka paguar për udhëtimet e kryeministrit Rama me avionin “Ismail”, por nuk ka marrë përgjigje.

Postime të lidhura