zoom

Aktualitet

Policia për vdekjen e Dwamenës: Kanë nisur hetimet për ngjarjen. U dërgua në spital, por…

Sulmuesi 28-vjeçar, Rafael Duamena ndërroi jetë pasi humbi ndjenjat në fushën e blertë gjatë sfidës Egnatia-Partizani. Policia ka raportuar se  futbollisti i Egnatias është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën.

Uniformat blu informojnë se është ngritur një grup hetimor për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes. Kapiteni i Egnatias u ndje keq në minutën ‘24 të ndeshjes dhe ra në tokë, pa ndjenja. Atij iu dha ndihma e parë në fushë, ku mbërritën mjekët dhe u transportua me ambulancë në spital, por nuk arriti të mbijetojë.

Njoftimi i policisë:

“Në stadiumin “Arena Egnatia”, ku po zhvillohej ndeshja e futbollit të ligës “Abisnet Superiore”, midis ekipeve Egnatia dhe Partizani, në minutën ‘23-‘24, futbollisti i ekipit Egnatia, shtetasi R. D., 28 vjeç, kapiten i këtij ekipi, është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë, pa ndjenja.

Menjëherë, janë futur në fushë, mjekët e ekipeve dhe autoambulanca, dhe futbollisti është transportuar në spitalin e Kavajës, por mjekët konfirmuan se 28-vjeçari kishte humbur jetën. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po vijon puna për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes”. /ZOOM.AL/