zoom

Bota

Izraeli do të zbatojë çdo ditë pauza 4-orëshe në Gaza, por ku ndryshon me armëpushimin

Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant ka deklaruar se ushtria po ndërmerr masa në Gaza për t’u mundësuar palestinezëve të largohen nga luftimet mes forcave izraelite dhe Hamasit.

Izraeli ka vendosurse do të ketë pauza të përditshme katër-orëshe në Gazën veriore.

Ai përsëriti thirrjen e qeverisë se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të rrëzohet dhe pengjet e mbajtura në Gaza të lirohen.

SHBA-të njoftuan se Izraeli do të fillojë të zbatojë çdo ditë pauza katër-orëshe në zonat e Gazës veriore. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se banorët do të njoftohej tre orë përpara se të nisë pauza.

“Dhe neve na është thënë nga izraelitët se nuk do të ketë operacione ushtarake në këto zona gjatë kohëzgjatjes së pauzës dhe se ky proces po fillon sot”, shtoi ai.

Ndërkohë më para ushtria izraelite ishte shprehur se: “Ka pauza taktike, lokale për ndihmën humanitare për civilët e Gazës”, dhe e bëri të qartë “nuk ka armëpushim”.

Nga ana tjetër zëdhënës i OKB-së thotë se çdo ndërprerje e luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës për qëllime humanitare do të duhet të koordinohet me Kombet e Bashkuara.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se një pauzë do të duhej të binte dakord nga të gjitha palët në konflikt dhe të koordinohej nga OKB-ja “për të qenë vërtet efektive”.

Cili është ndryshimi midis armëpushimit dhe pauzës humanitare?

Disa vende, si dhe Kombet e Bashkuara, kanë bërë thirrje për një armëpushim në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Por Britania e Madhe, SHBA-ja dhe BE-ja janë ndër ato që nuk kanë bërë thirrje për një armëpushim, duke thënë se kjo do të favorizonte Hamasin, i cili është cilësuar një organizatë terroriste nga SHBA dhe disa qeveri perëndimore.

SHBA nga ana tjetër njoftuan se Izraeli do të fillonte, në vend të kësaj, pauza ditore katër-orëshe në luftimet në zonat e Gazës veriore.

Udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, kanë bërë thirrje për një pauzë humanitare prej ditësh, por si ndryshon kjo nga një armëpushim?

Krahasuar me një armëpushim formal, pauzat humanitare priren të zgjasin për periudha më të shkurtra kohore, ndonjëherë vetëm disa orë.

Ato zakonisht zbatohen thjesht me qëllim të ofrimit të mbështetjes humanitare, në krahasim me arritjen e zgjidhjeve politike afatgjata, sipas OKB-së.

Ndërkaq, armëpushimet synojnë të jenë afatgjata dhe shpesh synojnë të lejojnë palët të përfshihen në dialog, duke përfshirë mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje të përhershme politike, thotë OKB.