zoom

Bota

Ushtria e Izraelit hyn në zemër të Gazës, ministri: Nuk ka kthim prapa!

Pas disa javësh rrethimi dhe sulmesh të vazhdueshme në kufirin dhe rrethinat e Rripit, ushtria izraelite njofton se është tani në “zemrën” e Gazës. Kështu deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, në një dalje për shtyp nga Tel Avivi. Sot, saktësisht një muaj pas fillimit të ofensivës së Hamasit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po hyjnë në bërthamën kryesore të rajonit.

“Ushtria jonë tashmë po lufton në zemër të qytetit të Gazës. Nuk ka kthim prapa, nuk ka pushim, ne ecim vetëm përpara. Gaza është baza më e madhe terroriste e ndërtuar ndonjëherë, tha Gallant. Në një nga imazhet e shpërndara nga ushtria izraelite në Gaza, shihet një rrotë Ferris që ndodhet në jug të kryeqytetit. IDF ka publikuar gjithashtu një video me imazhe të një sulmi, në të cilën pretendon se ka shkatërruar hyrjen e një prej tuneleve të Hamasit.

Gallant, nga ana tjetër, ka këmbëngulur se Izraeli nuk do të qeverisë Rripin e Gazës pasi t’i japë fund Hamasit. Disa fjalë që bien ndesh me atë që u tha nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili disa orë më parë pohoi se vendi i tij do të kontrollojë sigurinë në Gaza “për një kohë të pacaktuar”. Kryeministri ka publikuar një sërë fotosh me komponentët e ushtrisë në fushën e betejës. “Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë deri në fitore”, përsërit ai. /ZOOM.AL/