zoom

Aktualitet

Shpërthim te karburanti në “Rrugën Bardhyl”, plagosen menaxheri dhe shoferi i autobotit

Një shpërthim i fuqishëm, në shkaqe dhe rrethana nën hetim, ka ndodhur pak minuta më parë, në një pikë karburanti në Tiranë, në zonën e rrugës “Bardhyl”. Si pasojë e shpërthimit, mësohet se janë plagosur dy persona, gjendja e të cilëve tashmë paraqitet jashtë rrezikut për jetën, por po mbahen nën kujdes mjekësor në spital, pasi kanë trauma dhe djegie.

Sa i përket shkaqeve të shpërthimit, ende nuk dihen arsyet, por bëhet me dije se ka qenë një autobot që po shkarkonte karburant në depozitë. Ndërsa dyshohet për një pakujdesi dhe për mungesë të kushteve të sigurisë. Në vijim priten detaje të hollësishme nga policia, për të plagosurit që janë menaxheri dhe shoferi i autobotit, rolin e tyre dhe rrethanat.

Njoftimi paraprak i Policisë:

“Më datë 04.11.2023, rreth orës 13:30, në Rrugën Bardhyl, gjatë kohës që ka qenë duke u funizuar një karburant me benzinë, nga një autobot, ka ndodhur një shpërthim. Si pasojë është dëmtuar shtetasi M. Ç., (menaxher) dhe shtetasi M. K. (shoferi i autobotit), të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”. /ZOOM.AL/