zoom

Aktualitet

Tirana noton e gjitha në ujë pas gjysmë ore shi, Veliaj jep mend nga Prishtina!

Nuk ka qenë stuhi e zakonshme për Shqipërinë, por gjithsesi jo si ato në Spanjë, Itali dhe Francë, ku ka lënë viktima të shumta dhe miliona euro dëme në infrastrukturë. Teksa vetëm 30 minuta shi i rrëmbyeshëm dhe stuhi e kthyen përmbys Tiranën që duket se vuan infrastrukturën e dobët dhe kanalizimet jo të përshtatshme për një popullsi të deklaruar me mbi 1 mln banorë, kryebashkiaku Erjon Veliaj ka nxituar të reagojë. Dhe jo nga kryeqyteti, por nga Prishtina, ku gjendet për vizitë pune.

I pari i kryeqytetit ka zgjedhur “të japë mend” për situatën nga distanca, duke këshilluar qytetarët. Gjysmë ore shi e ktheu Tiranën në një liqen të vërtetë, me kanalizimet që u bllokuan, plehrat që dolën rrugëve, dëmet materiale, bllokimet e akseve kryesore, Lanën që u tejmbush dhe ujërat e zeza mbi të gjitha, që vërshuan nëpër rrugë e trotuare. Madje edhe një polic rrugor mori lëndime serioze në krye të detyrës, teksa u godit nga një objekt në kokë dhe po mjekohet në spital.

Çfarë shkruajti Veliaj nga Prishtina në Facebook:

Përmes një postimi në Facebook, Veliaj siguroi se ekipet e Bashkisë janë terren për çdo emergjencë, ndërsa bën thirrje që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 112.

“KUJDES – MOT I RËNDUAR. Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, e ngjashme me stuhinë Ciara që ka goditur Firencen dhe Toskanën gjatë natës. Ju lutem tregoni kujdes në 24 orët në vijim dhe ulni lëvizjet e panevojshme gjersa situata të normalizohet! Ekipet tona janë aktualisht në terren për çdo emergjencë. Ndihmoni fqinjët e moshuar në rast nevoje. Mirënjohje për mirëkuptimin! Tel: 112 për emergjencat. Bashkë. Pa panik e me solidaritet”, shkruante kryebashkiaku. /ZOOM.AL/

 

Related Posts

None found