zoom

Politikë

Zëdhënësja e Bashës i përgjigjet BBC me letër: Shpifje, nuk janë marrë fondet!

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka reaguar pas një investigimi të BBC, ku ngrihen dyshime se Lulzim Basha u financua nga Rusia për foton me presidentin amerikan Donald Trump, duke i cilësuar si “histori e rreme nga fillimi në fund”. Në reagimin e saj, Karabina thotë se është publikuar një shkrim “me të pavërteta të marra copy-paste nga vala e shpifjeve kundër PD dhe Lulzim Bashës”.

Ndër të tjera, zëdhënësja e PD, ka ndarë dhe shkresën zyrtare ndaj BBC, ku shkruan se “ju po ripërsëritni një histori të vjetër që tashmë është shqyrtuar dhe verifikuar si e pavërtetë në të kaluarën. Narrativa e paraqitur është pa asnjë ekuivok e rreme nga fillimi në fund”. “As zoti Basha dhe as Partia Demokratike dhe fushatat e saj nuk kanë marrë ndonjëherë fonde nga Rusia”, thekson ajo.

Reagimi i zëdhënëses së PD Mirela Karabina:

“Në disa media është publikuar i deformuar sot një shkrim me disa të pavërteta të marra copy-paste nga vala e shpifjeve kundër PD dhe Lulzim Bashës. Fakti që në shkrim as nuk përmendet korruptimi që Edi Rama i bëri McGonigal për të sulmuar Lulzim Bashën, tregon se kush është i interesuar për riciklimin e kësaj çështje që ka marrë përgjigje si nga institucionet shqiptare të drejtësisë ashtu dhe nga ato të SHBA.

Më poshtë teksti i shkresës zyrtare që PD i ka nisur BBC:

“E nderuara Zonjë/Zotëri,

Fatkeqësisht, ju keni publikuar një lajm pa u njohur plotësisht me faktet dhe pa iu drejtuar Partisë Demokratike të Shqipërisë për një përgjigje të duhur.

Ju po ripërsëritni një histori të vjetër që tashmë është shqyrtuar dhe verifikuar si e pavërtetë në të kaluarën. Narrativa e paraqitur është pa asnjë ekuivok e rreme nga fillimi në fund. Siç është faktuar tashmë, as zoti Basha dhe as Partia Demokratike dhe fushatat e saj nuk kanë marrë ndonjëherë fonde nga Rusia.

Kur kjo histori doli për herë të parë në 2017, zoti Basha dhe Partia Demokratike kërkuan një hetim të plotë dhe bashkëpunuan plotësisht me të gjitha autoritetet hetimore. Në vitin 2019, gjykatat në Shqipëri e kishin shfajësuar plotësisht zotin Basha dhe Partinë Demokratike, duke e pastruar atë nga çdo lidhje me këtë histori të sajuar.

Për më tepër, që prej asaj kohe ka dalë në dritë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte lidhje të ngushta me agjentin e atëhershëm të FBI-së, Charles McGonigal. Sipas hetimeve, përfshirë nga Neë York Times, këto lidhje u krijuan kryesisht për të goditur z. Basha, duke u përfshirë në një fushatë shpifjeje kundër tij, pjesë e së cilës ishin edhe këto akuza të rreme. Shih: https://ëëë.nytimes.com/…/fbi-intelligence-charged…

Ish-agjenti në fjalë i FBI-së është dënuar nga gjykatat amerikane vetëm pak javë më parë. Shih: https://euroneës.al/…/former-fbi-official-mcgonigal…/

Duke besuar se do ti pasqyroni këto fakte në mënyrën e duhur,

Me respekt, Mirela Karabina

Zëdhënëse e Partisë Demokratike të Shqipërisë”. /ZOOM.AL/