Aplikacion
Burime policore konfirmuan se është shoqëruar ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit Rajmonda Dashi, e cila momentalisht mbante postin e specialistes tek Drejtoria Vendore e Kadastrës Kamëz-Vorë. Momenti i shoqërimit duket se ka shkaktuar panik te punonjësit, pasi mësohet se ishin 3 oficerë të policisë, 2 meshkuj dhe 1 femër, të cilët e kanë tërhequr jashtë ambienteve të institucionit. Ky hetim dhe shoqërim lidhet me veprimtarinë abuzive të denoncuar, inspektuar dhe hetuar të Kadastrës së Durrësit ndër vite, në falsifikim, përvetësim, tjetërsim pronash në zonën bregdetare. Gjithashtu edhe problematika e ndërtimeve pa leje dhe ankesat e shumta të qytetarëve te Njësia Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë.
Më 15 dhjetor të vitit 2021, Rajmonda Dashi do të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Kadastrës së Durrësit dhe në vend do të emërohej përkohësisht, Risena Xhaja. U përfol se dorëheqja ishte bërë me kërkesë të ish-drejtorit të përgjithshëm Artan Lame, që duket se kishte konstatuar një sërë shkeljesh nga vartësja.
Edhe pse në atë kohë ishin të paqarta arsyet e këtij vendimi, shoqërimi i sotëm u Dashit duket se ka të bëjë me abuzime dhe shkelje me pronat dhe hipotekat në Durrës gjatë kohës që ajo ushtronte të detyrës si drejtuese e Kadatrës së këtij qyteti. /ZOOM.AL/