Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha jo vetëm që këmbëngul që në këtë pozicion ka të drejtë të jetë Flutura Açka, e emëruar përkohësisht prej tij, por edhe ka larguar nga grupi parlamentar 11 deputetë, që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha.
Shkresa, e depozituar tashmë në Kuvend, e njofton këtë të fundit se grupi parlamentar i PD tashmë do të ketë vetëm 24 deputetë.
Dokumenti, në emër të grupit parlamentar është firmosur nga Lulzim Basha në orët e vona të 26 shtatorit.
Deputetët e përjashtuar:
1.Greta Bardeli
2.Ina Zhupa
3 Isuf Çela
4.Asllan Dogjani
5.Bujar Leskaj
6.Edi Paloka
7.Kastriot Piroli
8.Lindita Metaliaj
9.Ludovik Hasanaj
10.Sorina Koti
11.Tomorr Alizoti
Reagon Gazment Bardhi
I pari që reagoi për të kundërshtuar vendimin e Lulzim Bashës është Gazment Bardhi. Ai pretendon se posti i kreut të grupit parlamentar i takon atij, ndërsa shkresën e Bashës për të përjashtuar deputetët e quan një shaka pasi sipas tij, kryedemokrati nuk ka legjitimitet për një vendim të tillë.
“Merreni me të qeshur dhe boll harxhuat rreshtat me çfarë bën Lulzim Basha. Si njëri nga deputetët e PD, Lulzim Basha nuk ka as legjitimitetin, por as forcën për të përjashtuar askënd. Një ftesë të sinqertë kam për kolegun Lulzim Basha. Në vend të letrave pavlerë që synojnë përçajnë opozitën dhe mbajtjen ndezur të konfliktit mes vetes, të përqendrohet në çështje që nuk i shërbejnë forcimit të pushtetit të Edi Ramës, por dobësimit të tij”, u shpreh Gazment Bardhi në “Facebook”.