zoom

Bota

Shkon në 11.300 numri i viktimave në Libi! Rreziku për dekompozimin e trupave në det ngre alarmin

Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese në qytetin bregdetar lindor të Libisë, Derna, ka shkuar në të paktën 11.300 viktima, sipas një raporti të OKB-së.

Ndërkohë vetëm në Derna, të paktën 10,100 njerë rezultojnë ende të zhdukur.

“Këto shifra pritet të rriten ndërsa ekuipazhet e kërkim-shpëtimit punojnë pa u lodhur për të gjetur të mbijetuarit”, thuhet në raport.

Më shumë se 40,000 njerëz janë zhvendosur në të gjithë Libinë verilindore pas reshjeve ekstreme të shiut që solli stuhia Daniel, informon OKB.

Ekspertët thonë se ndikimi i stuhisë u përkeqësua shumë nga një ndërthurje vdekjeprurëse e faktorëve duke përfshirë infrastrukturën e shkatërruar, paralajmërimet e pamjaftueshme te autoriteteve dhe efektet e përshpejtimit të krizës klimatike.

Pothuajse 300,000 fëmijë që u ekspozuan ndaj përmbytjeve për shkak të stuhisë Daniel përballen me rrezik të shtuar të kolerës, kequshqyerjes, diarresë dhe dehidrimit.

Fëmijët gjithashtu përballen me “rreziqe në rritje të dhunës dhe shfrytëzimit”, shton raporti.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë nëpër ndërtesa të shembura dhe në det për të tërhequr trupat e pajetë ndërsa shpresa për të gjetur të mbijetuar zvogëlohet.

Misionet ndërkombëtare të shpëtimit po bëjnë thirrje për më shumë pajisje dhe ndihmë për nxjerrjen e kufomave nga Mesdheu.

“Trupat po dekompozohen rëndë dhe marrja e tyre mund të mos jetë e mundur,” tha një përfaqësues nga misioni tunizian në një takim me homologët nga Rusia, vendet arabe, Turqia dhe Italia.

“Ne kemi nevojë për ndihmë që ndërhyrja jonë të jetë më efikase,” shtoi përfaqësuesi.