zoom

Ekonomi

Masat detyruese për kursimin e energjisë, krijohen shoqëritë e shërbimeve, si do të funksionojnë

Teksa reduktimi i konsumit të energjisë është detyrim për abonentët që kategorizohen si konsumatorë të mëdhenj energjie, një udhëzim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i hap rrugë krijimit të shoqërive të shërbimeve të energjisë dhe zbatimit të kontratave model që do të lidhen mes tyre dhe subjekteve që do aplikojnë masat e kursimit.

Udhëzimi është miratuar që në nëntor të vitit 2022, por zbatimi do të nisë gati një vit më pas, duke qenë se në Fletoren Zyrtare u publikua vetëm një ditë më parë.

Sipas dokumentit, qëllimi i përcaktimit të rregullave të operimit për këto shoqëri është promovimi i zhvillimit të tregut kombëtar të shërbimeve të energjisë.

Ndërkohë që, krijimi i modelit të kontratës së performancës së energjisë që do të rregullojë veprimtarinë ndërmjet këtyre subjekteve dhe klientëve, qofshin institucione publike apo privatë synon të rregullojë kushtet dhe procedurat e bashkëpunimit për të zbatuar masat që reduktojnë konsumin e energjisë dhe kostot në një mënyrë të qëndrueshme teknikisht dhe financiarisht.

Sipas udhëzimit, shoqëritë e shërbimeve energjetike duhet të jenë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërkohë që drejtuesit teknikë të tyre duhet të jenë auditues energjetikë të certifikuar.

Teksa udhëzimi përcakton shërbimet që mund të ofrojnë këto shoqëri, specifikohet se ato do të jenë objekt kontrolli nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë, në rast të ankesave nga klientët. Paralelisht, këto subjekte do të jenë të detyruara të paraqesin pranë kësaj agjencie kontratat e shërbimeve të energjisë të lidhura me konsumatorët fundor dhe çdo dokument e të dhënë tjetër të kërkuar për vlerësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara të energjisë; /SKAN