zoom

Ekonomi

Qeveria rikthen fashën e energjisë? Gati lista e atyre që konsumojnë më shumë elektricitet

Të gjithë konsumatorët e mëdhenj të energjisë në vend do të jenë në një listë ku tregojnë burimet dhe kostot e tyre për sasinë e energjisë që shpenzojnë. Kjo është detyra e re e Agjencisë për Eficiencën e Energjisë.

Në udhëzimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, nga ministria e Energjisë, ky ent do të identifikojë bizneset dhe institucionet që konsumojnë deri në 1 mln kËh në vit.

Kështu, AEE do t’i kërkojë informacione OSHEE-së dhe OST-së për klientët që kanë konsum mbi 0.5 milionë kËh, brenda 31 janarit, duke përditësuar listën e konsumatorëve të mëdhenj.

Më pas, ata që futen në këtë listë dhe konsumojnë 0.5-1 mln kilovatorë në vit, të paraqesin të dhëna lidhur me konsumin e burimeve të tjera të energjisë, brenda muajit shkurt. AEE mund të kërkojë detaje nga subjektet për konsumin e energjisë sipas fushës së operimit, p.sh në hotele sa shtretër ka, sa netëqëndrime etj.

Udhëzimi i ri duket të jetë i lidhur me nismat e qeverisë për të ulur konsumin e energjisë dhe për ta bërë atë sa më eficiente, duke arritur një objektiv të caktuar. Një vit më parë, qeveria i vendosi detyrim institucioneve publike të ulin konsumin e energjisë me 15% në raport vjetor.

Më herët gjatë vitit, disa muaj pasi u fshi ideja e fashës energjetike, kryeministri Edi Rama e përmendi përsëri atë.

“Ajo që paguajnë familjet nuk është vlera reale e faturës. Në verë, kur të rritet shpenzimi sërish, do të duhet të rihapim diskutimin e fashës. Por, sot vazhdojmë të paguajmë dhe është një sasi e madhe parash. Nëse këtu do të kishim të bënim me një ekonomi lënguese, nuk do të kishte rritje pagash”, tha Rama më 25 maj 2023.