zoom

Ekonomi

OSHEE do të shpenzojë 6.1 mln euro për automjete

Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes pjesë e OSHEE Group do të rinovojnë flotën e mjeteve që kanë në përdorim duke marrë të paktën 170 makina me qira.

Në një procedurë të çelur këtë të premte nga Drejtoria Rajonale e OSSH në Tiranë specifikohet se shuma e vënë në dispozicion për këtë procedurë është më shumë se 672 milionë lekë apo 6.1 milionë euro.

Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedurën bëhet fjalë për lloje të ndryshme mjetesh në varësi të funksionit në të cilat do të vihen apo të grupeve të terrenit që do t’i përdorin.

Pjesën dominuese ashtu si edhe më herët e kanë automjetet pick-up që përdoren kryesisht nga grupet e terrenit. Sipas dokumenteve nga 170 mjete që do të merren me qira të paktën 159 mjete janë për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, kompania që kujdeset për rrjetin dhe faturimet ndërkohë që vetëm 11 mjete i përkasin Furnizuesit të Shërbimit Universal që është operatori që siguron energjinë për të gjithë konsumatorët fundorë në tregun e rregulluar.

Të detajuara lista e mjeteve me qira tregon se të paktën 5 mjete këtohet të jenë SUV, 10 prej tyre  EC/SUV  ose Crossover, 150 pick-up, 4 SUV PHEV,  dhe 1 VAN min 6+1.

Mjetet sipas specifikimeve të bëra në dokumente kërkohen me kilometrazh zero, dhe minimumi duhet të jenë prodhim i vitit 2022. Kompania fituese nga kjo procedurë do të ketë të paktën 180 ditë kohë apo 6 muaj për të lëvruar gjithë sasinë e mjeteve të kërkuara ndërkohë që qiraja do të jetë për një periudhë 36 mujore apo rreth 3 vite.

Në dokumente Ossh Tiranë ka specifikuar se operatorët duhet të paraqesin në dokumentet e ofertës edhe specifikimet që lidhen me limitin për kilometra për ndërrimin e gomave limitin e km për zëvendësimin e amortizatorëve, ndërrimin e filtrave dhe vajit të motorit, si edhe të gjitha serviseve periodike të nevojshme për tu kryer ne mjetet e dhëna me qera per të gjithë periudhën e zbatimit te kontratës, referuar specifikimeve teknike.

Marrja e makinave me qira është një praktikë që zhvillohet prej vitesh nga një sërë institucionesh publike në vend duke argumentuar se kjo është një formë më e leverdishme sesa blerja e tyre duke qenë se garantohen edhe shërbimet e mirëmbajtjes. Më herët institucione të tjera kanë aplikuar marrjen me qira të mjeteve për të cilat janë nevojë janë Policia e Shtetit, Illyrian Guard apo DPSHTRR.