Aplikacion
Ekspertët e ekonomisë thonë se edhe këtë vit cilësia e shërbimeve dhe siguria e plazheve mbeten pikat e dobëta për turizmin shqiptar.
Operatorët turistikë kanë së fundi shqetësim edhe zhvlerësimin e euros, sidomos për kontratat e lidhura me partnerët e tyre vitin e shkuar.
Sektori i turizmit po kthehet për Shqipërinë në një motor të rëndësishëm ekonomik ndërsa operatorët vendas po bëjnë përpjekje të shtojnë ofertën turistike jo vetëm në hapësirën detare por edhe turizmin kulturor dhe atë natyror.
Eksperti i ekonomisë Klodian Muço thotë se ky sektor tani ka një peshë gjithnjë e më të madhe në ekonominë shqiptare dhe tendencat janë që ai të përmirësohet gjithnjë e më tepër.
“Aktualisht impakti i turizmit direkt dhe indirekt në ekonominë shqiptare është 20% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Kjo nënkupton që një nga pesë njësitë e PPB vjen pikërisht nga turizmi. Duke parë shifrat vitin e kaluar dhe këtë vit tendenca është që turizmi të përmirësohet cdo ditë e më tepër”, u shpreh ai.
Muço thotë se problematika kryesore është pjesa e shërbimit.
“Ne do kemi turizëm dhe vazhdojmë të kemi rritje por problematike është pjesa e shërbimit. Ikja e njerzve në mënyrë të vazhdueshme bën që të kemi gjithnjë e më pak persona që mund të shërbejnë. Duhet të kemi një shërbim cilësor që të jemi kompetitiv jo vetëm në sasi në turizëm por edhe në cilësi”, shtoi ai.
Muço thotë më tej se sektori turistik është i lidhur edhe me sektorë të tjerë.
“Nevojiten investime për të rritur aftësinë e sipërmarrjeve për të krijuar të ardhura nga turizmi, thotë ai.
“Turizmi është komplemenar me shumë sektorë të tjerë si është bujqësia, shërbimet, etj. Kjo nënkupton që të kemi një turizëm të sukses-shëm duhet të rrisim cilësinë . Kur flasim për cilësi nuk flasim vetëm për shërbimet por edhe tek të ardhurat që gjeneron turizmi. Që të shpenzohen sa më tepër para në Shqiëpri duhet të krijohen këto aktivitete komplemetare dhe për këtë duhet ndihma apo mbështetja qeveritare. Duhet të ketë më shumë investime cilësor në shërbime ,në transport, në infrastrukturë etj. Problemet me ujin, dritat, pastrimin vijojnë në disa zona bregdetare dhe kjo e cënon imazhin”, deklaroi eksperti.
Eksperti i ekonomisë Muço thotë më tej se për shumë sipërmarrje turistike po krijon vështirësi aktualisht edhe zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në tregun valutor shqiptar.
“Ata që dëmtohen më shumë nuk janë ata që ofrojnë shërbime si jemi në Gjirokastër por ata që dërgojnë jashtë turistë apo operatorët që kanë bërë kontrata gjatë viteve të shkuara me partnerët e tyre”, nënvizoi ai.
Krahas cilësisë së shërbimeve një pikë tjetër e dobët e tuizmit shqiptar shihet siguria e plazheve.
Policia shqiptare ka ndërmarrë kohët e fundit kontrolle në hapësirën detare duke sekuestruar dhjetëra mjete ludnirmi pa dokumente të rregullta apo në shkelje të rregullave të sigurisë në përpjekje për të shmangur incidentet.
Por në shumë stacione plazhi vëzhgimet e mediave kanë provuar se mungojnë vrojtuesit e plazheve dhe kullat e vrojtimit që janë një detyrim ligjor për sipërmarrjet.
“Ka pasur shumë incidente brenda Kanioneve të Langaricës pasi hyjnë pa guida lokale. Autoriteti i Zonave të Mbrojtura që menaxhon atë territor duhet të lërë punonësin e vet që të informojë turistët ose si bëhet edhe në bregdet në momentin që nuk lejohet hyrja ngrihet “flamuri i kuq”. Ka forma të ndryshme për të ndaluar hyrjen e turistëve në atë zonë. Ka pasur incidente edhe me turizmin me biçikleta pasi shumë operatorë të jashtëm kryejnë turizëm me biçikleta në rrugë nacionale dhe rrugët tona dihet se si janë.”
Sipas zotit Tane nevojitet infomimi dhe ndërgjegjësim më i madh, sidomos për turistët e huaj.
Vitin e shkuar në Shqipëri hynë 7.5 milionë shtetas të huaj me një rritje 32.6% se viti paraardhës, ndërkohë që këtë vit prurjet turistike pritet të jenë edhe më të mëdha./ Zëri i Amerikës