zoom

Aktualitet

Studentët e Mjekësisë kundërshtojnë ligjin: Po na trajtoni si kavie eksperimentale

Vijojnë diskutimet në komisionet parlamanetare për projektligjin që detyron studentët e Mjekësisë të punojnë për 5 vite në Shqipëri.

Në Komisionin e Shëndetësisë këtë të martë u dëgjuan studentët që kundërshtojnë nismën e qeverisë.

Dea Guri, studente në vitin e pestë tha në komision se në të dy ditët e bisedimeve me Ministrinë e Arsimit dhe Shëndetësisë, studentëve u është thënë se nuk ka një draft dhe çdo gjë është në kuadër të bisedimeve.

“Projektligji erdhi aq shpejt sa na bëri të harrojmë edhe sezonin e provimeve. Na thonë se jemi të lirë të zgjedhim por po na japin dy zgjedhje të detyrueshme”, tha studentja në komision. Ajo tha se e dinë se nuk merren për bazë dhe prandaj u ka mbetur vetëm të luten që të mos votohet ky projektligj.

“U lutemi mos e votoni të enjten. Mendoni për të gjithë studentët që do detyrohen të zgjedhin mes dy zgjedhjeve që nuk janë dakord”.

Eliot Sulca, një tjetër student tha se në Komisione kanë folur të gjithë në emrin e tyre dhe askush nuk i ka pyetur.

“Duhej të na mundësohej dëgjimi edhe nëse nuk na merrni për bazë. Duhej të ishim pjesë e Komisioneve. Ju po na trajtoni si kavie eksperimentale”, tha studenti, duke shtuar se nëse situata nuk është alarmante, nuk duhet të stresohen në këtë mënyrë.

“Ky projektligj do të vazhdojë edhe për profesione të tjera duke qenë se situata është njësoj kudo dhe cila është zgjidhja juaj? Të mbani me detyrim këdo?”.

“Ne kundërshtojmë të gjithë ligjin në thelb, ju as për të llogarit tarifën nuk keni pasur kohë, pasi e keni marrë me nxitim. Njëherë na thoni do e përcaktoni me VKM dhe më akoma nuk dimë tarifën”, tha një përfaqësues nga studentët.

Studenti pyeti deputetët se nëse kanë një plan afatgjatë se si do të motivohen mjekët pas 5 viteve kur të mbarojë kontrata.

“Mjeku në fillim të profesionit bën më shumë gabime se sa shërben. Ju po kërkoni të na mbani me detyrim në fillimet tona dhe po na mësoni profesionin, që të shkojmë të gatshëm në vendet e tjera. Po na thoni të praktikohemi këtu dhe të shkojmë jashtë gati. Nëse na detyroni sot, si do ia bëni kur të mbyllim detyrimin dhe të duam të ikim jashtë? Po na detyroni të ikim edhe pse nuk duam”, tha studenti.

Eduard Ndreca, deputet i Partisë Socialiste, në përgjigje të studentëve tha se as ai nuk është dakord me disa pika të këtij projektligji, por do e votojë, me bindjen se nuk po bën gjënë e duhur.

“Do e votoj sepse në thelb është i duhuri pasi kërkon të mbajë në vend elitën por për aq kohë sa kam përballë studentë që nuk janë dakord me këtë projektligj, kam dyshimet e mia për këtë projektligj”, tha Ndreca, duke shtuar se ky projektligj çalon duke qenë se ka studentë që kërkojnë të anulohet.

“Fajin e ka Ministria e Arsimit që nuk ka biseduar me ju për të korrigjuar pikët ku ju nuk jeni dakord”.

Studenti Sulca tha se studentët kërkojnë një vit kohë që të shqyrtohet mirë projektligji dhe të diskutohet me të gjithë grupet e interesit.

“Po flasim për jetën e njerëzve dhe në këtë rast duhet të diskutohet mirë sepse nuk ka kthim pas. Kur të kuptoni pasojat do të jetë shumë vonë”, tha ai.

Ndërsa Kryetarja e Komisionit, Flutura Açka tha se shumë prindër i kanë thënë se janë tërhequr nga vendimi për t’i çuar fëmijët në Universitetin e Mjekësisë pas këtij projektligjit.