zoom

Ekonomi

Qeveria ble Gjykatën Kushtetuese, pagat shkojnë mbi 6 mijë euro

Qeveria ka menduar të shpërblejq gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese me një rritje page aq të madhe sa do t’i zhvendosë ata në krye të piramidës së pagave në sektorin shtetëror.

Në një projektligj të depozituar në Kuvend, qeveria kërkon që “Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.96 me pagën e Presidentit të Republikës”.

Paga e Presidentit të Republikës është 425 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë se paga baza e gjyqtarëve të Kushtetueses do të jenë 408 mijë lekë në muaj.

Por ata do të përfitojnë dhe një shtesë për shkak të “natyrës” së punës me 58% mbi pagën.. Kjo e çon pagën mujore të një gjykatësi në Gjykatën Kushtetuese 644.6 mijë lekë në muaj.

Të njëjtën pagë do të marrin dhe gjyqtarët e kolegjit të Posaçëm të Apelimit, institucionit, që përcakton se kush qëndron në sistemin e drejtësisë dhe kush largohet prej tij.

Për kryetarët e të dy inastitucioneve, KPA-së dhe Gjykatës Kushtetuese ka dhe një shtesë tjetër 20 për qind, që e çon pagën e tyre mujore në 773 mijë lekë.

Drejtësia nuk ishte një ndër fushat që do të prekej nga Reforma e pagave që paralajmëroi kryeministri Edi Rama, por mesa duket planet kanë ndryshuar rrugës.

Së fundmi, GJK ka favorizuar shpeshherë qeverinë në çështjet gjyqësore ku ndër më të rëndat ishte ajo e padisë së opozitës mbi portin e Durrësit, që institucioni e quajti të ligjshme. /Zoom.al