zoom

Ekonomi

Taksa “e përkohshme” e Bashkisë së Tiranës që po zgjat 10 vite dhe askush nuk e di ku shkon

Me mbarimin e 2022-shit, qytetarëve të Tiranës do t’u lehtësohej barra fiskale, me përfundimin e pagesës së një takse, asaj të infrastrukturës në arsim.

Por jo, Bashkia Tiranë vendosi që ta zgjasë këtë taksë me 3 vite të tjera edhe pse ajo quhet “e përkohëshme”.  Në 2022-shin, taksa do të përfundonte afatin e saj, 7-vjeçar

“Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore e ka vitin e fundit të aplikimit vitin 2022. Duke qenë se nevojat për infrastrukturë arsimore dhe angazhimet në këtë fushë do të shtrihen përtej kësaj periudhe parashikohet mbulimi i këtyre nevojave me rivendosjen e kësaj takse të përkohshme për një periudhë tjetër 3 vjeçare”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2023-2025 të Bashkisë Tiranë.

Taksa nuk është shumë e njohur dhe nuk ka asnjë llogaridhënie nga drejtuesit e kryeqytetit se çfarë është bërë me miliona eurot e mbledhura nga kjo taksë dhe çdo të bëhet me milionat tjera që pritet të mblidhen. Deri më tani, Bashkia Tiranë ka mbledhur 41 mld euro nga kjo taksë.

Mesatarisht në vit arkëtohen rreth 6 milionë euro nga ajo. Nëse do të zgjatet afati edhe për 3 vite të tjera, shuma totale që parashikohet të arkëtohet është 6.6 miliardë lekë, ose 56 milionë euro.

Për kategorinë i “Familjarët” detyrimi paguhet në 12 këste të barabarta, për çdo muaj përkatësisht në shumën 150 lekë për çdo familje. Ky detyrim evidentohet në faturën e konsumit të ujit.

“Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë. Gjatë vitit 2021-2022 janë shlyer detyrime të prapambetura nga subjektet në lidhje me detyrimet e vitit 2020”, thuhet në relacionin e Bashkisë./Zoom.al