zoom

Politikë

Ballkani i Hapur, prova se si përdor Edi Rama shqiptarët

Më 7 prill të 2022-ës, në përpjekje për të justifikuar një sërë vendimesh të diskutueshme kryeministri Edi Rama përdori një truk. Ai hartoi një pyetësor, të quajtur “Këshillimi Kombëtar” për të “marrë opinionin e qytetarëve”.

Rezultati tregoi se më shumë se gjysma e 300 mijë të pyeturve ishin pro nismave të tij.

Në mesin e 12 pyetjeve binin në sy “Ballkani i Hapur, legalizimi i kanabisit mjekësor, amnnistia fiskale e penale etj”.

Dy ditë më parë kryeministri deklaroi përfundimin e “Ballkanit të Hapur”, ose më saktë dështimin e kësaj nisme që u kundërshtua fort më së shumti në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Mal të Zi e Bosnje, dy vende të tjera që refuzuan të bëhen pjesë e saj.

Tashmë është e qartë se kur dhe përse ai “i pyet” shqiptarët.

Amnistia Fiskale është shembulli tipik se përse i duhen Edi Ramës “këshillimet me qytetarët”. Me “përgjigjet” e tyre ai i bëri presion Bashkimit Europian, duke thënë se aministinë e kërkonin shqiptarët dhe se ai kishte mbështetjen e tyre.

Edhe për “Ballkanin e Hapur” ai i përdori shqiptarët për t’iu kundërvënë kundërshtarëve. Përndryshe do t’i kishte pyetur edhe përpara se të vendoste të shpallte falimentimin e tij.

 

Si e mbronte Rama “Ballkanin e Hapur”

“59% është mbështetje shumë e fortë, pavarësisht se për të tjerat ka edhe mbështetje shumë më të forta. Nuk kam pritur luftën për politikat e jashtme të Serbisë. Nuk ka qenë vendimmarrja ime, që në Ballkan të gjendet dhe Serbia. Serbia është aty duam apo nuk duam ne. Është një fqinje që do të jetë aty gjithmonë. Marr parasysh këto dy gjëra marrëdhëniet e fqinjësisë me Serbinë janë shumë të rëndësishme edhe për faktin e ndryshimit mes nesh dhe tyre. Shqipëria, Ballkanin e Hapur nuk e bën për Serbinë, por për veten e vet, nuk mbron interesat e Serbisë por interesat tona. Ballkani i Hapur është një nisëm interesash konverguese. Çdo konvergjencë i shërben paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik dhe social. Ballkani i Hapur është në interes të gjithë shqiptarëve edhe i Kosovës, por unë jam udhëheqës i Shqipërisë dhe jo i Kosovës” – deklaronte Rama në prill 2022.