zoom

Aktualitet

Irani merr hard disqet e sekuestruara nga kampi i MEK në Shqipëri

Irani ka fituar akses në një grup pajisjesh elektronike dhe ruajtjeje të konfiskuara gjatë një operacioni të kryer nga policia shqiptare në kampin MEK në Manzë, ka thënë një zyrtar i qeverisë iraniane.

Kreu i këshillit të informacionit të qeverisë iraniane, Sepehr Khalaji në një postim në Twitter tha se një pako që përmbante hard disqe që i përkisnin MEK kishte mbërritur në Iran.

“Ekspertët iranianë janë aktualisht të angazhuar në marrjen e të dhënave nga këto pajisje dhe identifikimin e lidhjeve të grupit terrorist dhe qelizave sabotuese”, shtoi ai.

“Rezultatet kanë qenë premtuese deri më tani”, tha zyrtari.

Policia shqiptare rrethoi kampin e muxhahedinëve mëngjesin e 20 Qershorit në Manzë dhe ushtroi kontrolle brenda ambienteve të rezidencës ku janë të strehuar shtetasit iranianë.

Kontrollet u bënë me urdhër të GJKKO dhe u sekuestruan laptopet dhe kompjuterat e muxhahedineve.

Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.

Por ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se vdekja e personit brenda MEK-ut, të martën, nuk kishte asnjë lidhje me veprimet e policisë.

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të MEK.

Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.

Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit.