zoom

Politikë

E pa precedent/ Si u shmang përplasja Kosovë – Serbi në samitin e Malit të Zi

Në Podgoricë liderët e Europës Juglindore u mblodhën në samitin e radhës për të diskutuar mbi bashkëpunimin rajonal.

Në tryezë ishte edhe Kosova, si pjesëmarrëse me të drejta të barabarta. Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe ka refuzuar vazhdimisht uljen e përfaqësuesve të saj në tryezat e samiteve rajonale e ndërkombëtare.

Për të shmangur refuzimin serb, organizatorët kanë gjetur një zgjidhje të paprecedent. Në Podgoricë, për herë të parë, presidentë e përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit kanë vendosur të mbajnë në tryezë emrat e kryeqyteteve dhe jo të shteteve, siç shihet në foton e mëposhtme.

Kështu, Vjosa Osmani mbajti përpara vetes mbishkrimin Prishtina, Bajram Begaj – Tirana, Ivica Daçiç – Beogradi, Jakov Milatovic – Podgorica e kështu me radhë.

Kjo mënyrë protokolli shmangu përplasjet Kosovë – Serbi, siç ka ndodhur më parë, ku palët janë detyruar edhe të largohen nga takimi, por ajo i bën në vetvete qesharak si samitin, si organizatorët ashtu edhe pjesëmarrësit.

Nëse Beogradi do të refuzojë edhe Prishtinën si kryeqendër administratative, me çfarë do të prezantohet Vjosa Osmani, me Suharekën apo Ferizajn? Po Shqipëria, me Kukësin apo Roskovecin? /Zoom.al