zoom

Slider

Ata me pamje të papërshtatshme s’pranohen, “rregullat” e koncertit të Enrique Iglesias në Tiranë

Këngëtari i famshëm i muzikës latine, Enrique Iglesias, i njohur për hitet e tij të shumta do të mbajë për herë të parë një koncert në Tiranë, në Sheshin Skënderbej më 30 qershor.

Ndërkohë që na ndajnë edhe pak ditë nga koncerti, biletat vijojnë të shiten si online, po ashtu edhe fizikisht te Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë. Blerja e biletës shoqërohet edhe me një rregullore, me disa pika që duhet të kihen parasysh nga personat që do të marrin pjesë në koncert.

Njëra pikë e rregullores thotë që organizatorët kanë të drejtë të mos pranojnë në shfaqje persona që u duken atyre të papërshtatshëm, një masë që deri më tani nuk është marrë në ndonjë koncert të mbajtur në Shqipëri.

Gazetarja Kozeta Kurti, që ka blerë biletën për në koncertin e 30 qershorit, ka reaguar lidhur me këtë pikë të rregullores, duke e cilësuar si të pakuptimtë.

“Bleva një biletë për koncertin e Enrique Iglezias në Shqipëri, por nuk e dua më! Kush e do, të më thotë. Do ta fal në rastin më të parë. Këtë rregullore e lexova pak më vonë: Organizatorët paskan të drejtë të mos pranojnë persona që u duken atyre të papërshtatshëm. Çfarë konsiderohet e papërshtatshme? Kush do ma vlerësojë surratin? Rojet te dera? Me gjithë respektin për profesionin fisnik të rojes, ata nuk mund t’i bëjnë check fytyrës sime, sikurse të jenë çanta dhe xhepa”, shkruan Kozeta Kurti në rrjetet sociale. “Në fakt, unë e di çfarë është e papërshtatshme… këta të papërshtatshëm vetëm të vendosin të vijnë nëpër koncerte, se po vendosën, është e sigurt që do të hyjnë të parët; madje nga vip zona”, thotë Kurti.