zoom

Aktualitet

Qeveria detyron studentët e mjekësisë të firmosin që do të rrinë në Shqipëri ose të paguajnë

Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me rektorë dhe studentë të mjekësisë u ndalën tek një draft i ri që përfshin dy ‘zgjedhje’ për studentët që mbarojnë studimet për mjekësi.

Sipas draftit të dy ministrive, studentët që regjistrohen në vitin akademik 2023-2024, paraprakisht do të firmosin një kontratë ku deklarojnë se do të qëndrojnë të punonjnë të paktën 3 vite në Shqipëri. Kushdo që nuk dëshiron të firmosë kontatratën, do të ‘detyrohet’ të paguajë universitetin me koston reale, njësoj si privati. Edhe studentët që janë në vit të dytë, tretë do të paguajnë vitet e mbetura nëse nuk pranojnë të firmosin kontratën.

“Një ide e jona është që secili prej jush, të gjithë studentët e programit mjekësi e përgjithshme, duke filluar nga viti i ardhshëm është që të nënshkruhet një marrëveshje paraprakisht me universitetin dhe dy ministritë, që pas studimeve ju do të qëndroni të jepni minimumi tre vite kontribut për Shqipërinë. Nëse ka nga ata që nuk janë dakord me këtë alternativë, mund t’i propozohet çmimi real, kostoja reale, pra të paguajnë tarifën (njësoj si në Universitet e huaja ose ato private) dhe pas diplomimit mund të jenë të lirë të vendosin ta zgjedhin vetë ku do të jetojnë. Edhe studentët që futen në vitin e 6 do të paguajnë vitin e fundit nëse  nuk firmosin kontratën”, tha Kushi.

“Për momentin ne nuk i ndjejmë shumë pasojat më sistem, sepse ende ne i plotësojmë nevojat në spitale apo institucionet e sistemit shëndetësor. Por, nëse kjo tendencë vazhdon ende në vitet në vazhdim, do vijë një moment që këtë pasojë ne do ta ndjejmë shumë, nuk do të mbulojmë dot nevojat që ka shoqëria jonë për profesionistë të fushës së mjekësisë.

Prandaj është përgjegjësia jonë që të marrim masat e duhura, të hartojmë politikat e duhura dhe ti zbatojmë ato në kohën e duhur për të parandaluar këto pasoja të rënda që mund të na vijnë”, u shpreh Kushi duke shtuar se tarifa që studentët paguajnë për studime në programin Mjekësi e Përgjithshme është shumë më e ulët në krahasim me kostot, “mund të jetë 1/13 apo 1/14 ajo që është përcaktuar si tarifa maksimale e studentëve, sepse një pjesë janë dhe të përjashtuar për shkak të rezultateve të larta, apo për shkak se vijnë nga familje me vështirësi ekonomike, apo kanë fituar olimpiada. Pra maksimumi që paguhet është 45 mijë lekë në vit tarifë vjetore, ndërkohë që buxhetit shqiptar i kushton shumë”, shpjegoi Kushi.

Kushi tha se këtë vendim e kanë marrë bashkë me ministren e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, me profesorin dhe rektorin e Universitetit të Mjekësisë, edhe ekspertë të fushës.