Aplikacion
Më pas ai zhvilloi një takim interesant me anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak, ku dukshëm u vu re se PS-ja për të fituar Shkodrën kishte nisur punën intensivisht që në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Të paktën këshilltarë të PS-së në atë takim e konfirmuan. Ndërkohë, pjesa më e rëndësishme e atij takim jo formal me këshilltarët në një nga kafenetë e Shkodrës ishte ajo çfarë Rama i la porosi Benet Becit, kryetarit të ardhshëm të bashkisë.
Rama tha se shkodranët kësaj here kishin votuar me mend dhe jo me zemër, ndaj dhe puna e Becit në krye të bashkisë, sipas tij, ishte shumë më e madhe nga sa mund ta mendojë.
Rama i tha që të mos ndikohet nga klanet në Shkodër, duke i kujtuar që të punojë me të majtë dhe të djathtë.
Duke pasur ne krah Agron Çelën dhe Elisa Spiropalin, Rama i tha Becit se nuk duhet te dëgjojë askënd prej tyre kur bie fjala për bashkinë.
“Duhet punë me e shpërbly këtë besim këtë fitore spektakolare sepse kësaj here u bëmë bashkë. Duhet të mbash shumë ekuilibër me njerëz të ditur të zotë dhe që të gjithë të jenë të përfaqësuar, nuk duhet trajtuar iku një cetë dhe erdhi një tjetër se ajo nuk të jep produktivitet
Duhet me pas kujdes me gratë mos me i heq dhe largu për shkak se janë me këtë (parti) apo atë
Gratë dhe vajzat që janë në punë duhen mbrojt dhe duhen motivuar pastaj se për kë votojnë nuk ka rëndësi, ti ke votu vetë për PD-në ti hera e parë që voton për PS…”, iu drejtua Rama, Becit me gjuhën e shkodraneve
As për veten në 2021 thua? Ndërhyri Elisa duke kujtuar se me herët Benet Beci ka qenë deputet i PS
“ Jo mund të ketë votuar për veten por s’ka votuar partinë fare nuk e di se çfarë ka bërë…” e kaloi Rama përgjigjen me humor
“Mos i shih kështu, do te kesh presion të madh që nga Edona Agroni, Elisa…Duhet të mbash presionin dhe të bësh një bashki të të gjithë qytetarëve të Shkodrës nëse do që të të mbështesin. Këtë herë të kanë votuar me mend dhe jo me zemër se zemrën se shesin këta. Që t’i tërheqësh zemrën pak me majtas dmth ta vesh në qendër të paktën
Realisht duhet me bë një punë shumë… Duhet të dish të thuash jo, unë për vetëm time kam për detyrë të mbështes. Do të vënë në lupe dhe pritshmëria është shumë e madhe, ty s’të fal njeri këtu asgjë kije parasysh…”, i tha Rama, Becit
Më tej në një tubim të gjerë të zhvilluar me shkodranët, kryeministri Edi Rama bëri një paralelizëm me situatën e këtij qyteti sot si në Tiranën e para 23 viteve kur ai u bë kryetar bashkie në kryeqytet.
“Kazanë në qendër, në orën 3 plehrat kishin dalë nga kazanët dhe rrinin rreth e rrotull. Kjo është një pamje që nuk e sheh në asnjë qytet të Shqipërisë. Është pamja që unë kam gjetur kur jam zgjedhur kryetar i bashkisë së Tiranës. Kaq mbrapa është Shkodra. Ne do të transformojmë edhe muzeun sepse ajo hapësirë është identitare e Shkodrës dhe ajo është një histori që ne duhet ta tregojmë”, tha Rama
“Kam ftuar sot këtu që të vinin disa nga ministrat pasi ne nuk mund ta refuzojmë këtë sfidë, s’mund ta konsiderojmë një fitore si të mirëqenë. Kjo është një fitore jashtëzakonisht e veçantë dhe meriton një vëmendje jashtëzakonshme të veçantë. Këtu është çështje e Shqipërisë dhe e ekonomisë së saj. Shkodra është një fuqi e madhe e fjetur në aspekt të potencialit të madh që ka për ekonominë dhe të mirën e Shqipërisë. Ne duhet ta zgjojmë këtë potencial në funksion të së mirës së Shqipërisë. Është një zonë e bekuar e Shqipërisë. 4 vite janë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim që i prek të gjithë”, premtoi ai
Edhe njëherë Rama përcolli falënderimet.
“Falendrim për ata që më 14 maj dolën dhe votuan Benetin. Dhe votuan PS. Për herë të parë jemi forcë e parë politike. Dua të falënderoj dhe ata që nuk dolën të votojnë duke e parë të pamundur që të votojnë për ne dhe Benetin por duke e parë dhe si të pamundur për ata që kanë votuar gjithnjë po s’kanë bërë asgjë. Dua t’iu them të gjithëve atyre që nuk janë këtu që na kanë dhënë besim. Unë për vete këtë rezultat në Shkodër e konsideroj si sfidën më të madhe që më është bërë mua dhe Shkodrës.
Ata që na votuan për herë të parë vendosën për të mos votuar me sy mbyllur sikurse e kanë bërë për 32 vite. Dhe kjo është problematike, sepse kush të voton me zemër të jep kredi afatgjatë siç ka ndodhur me palën tjetër. Ajo ka qenë një kredi pa interesa që u kthye në një dëm të jashtëzakonshëm për ata që e votuan. Por ajo ishte votë zemre dhe në 8 fushatat e mëparshme unë e kam ndjerë që mendja e shumicës ishte e mbyllur për të dhënë mesazhin, atyre zemra u rrihte djathtas” tha Rama.
Edhe Benet Beci kryetari i ardhshëm i Bashkisë tha se institucioni që ai do të drejtoje do t’i ketë dyer e hapura.
“Do të jetë bashkia e dyerve të hapura, ku do të pres dhe përcjell, do të diskutoj me secilin që ka një problem për ta zgjidhur këtë problem. Ne do të duhet të aktivizojmë edhe platformën dixhitale të bashkëqeverisjes. Dua ta nis këtë falënderim me Elisën, drejtuesen politike pa të cilën nuk do ta gjejë dot të gjithë energjinë për këtë betejë të fuqishme të fushatës zgjedhore. Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët. Shumë faleminderit është pak Kryeministër Rama që më nxite të futem në politikë dhe të kem mundësinë e jashtëzakonshme që të futem në politikë. Sot është nxitësi kryesor për krijimin e projekteve dhe tashmë është nxitësi kryesor që ato të realizohen. Dua të falënderoj të gjithë kabinetin qeveritar. S’kam për ta harruar kurrë. Kryeministri dhe Qeveria do ta kenë të parën në top listën e projekteve dhe investimeve”, tha Beci.