zoom

Slider

Tirana-Partizani në momentin e së vërtetës, Shehi dhe Colella luajnë titullin në megaderbi…

Megaderbi i futbollit shqiptar Tirana-Partizani kthehet sonte në mbrëmje me një sfidë që premton spektakël.

Ndeshja që të gjithë ëndërrojnë të luajnë për shkak të rëndësisë së saj, loja që askush nuk dëshiron ta luajë për shkak të ankthit dhe tensionit që sjell.

Tirana-Partizani, ndeshja e sezonit në Abissnet Superiore, do të vendos se kush do të ngrej trofeun e këtij edicioni.

Në një “Air Albania”, që pritet të kaloj 15 mijë tifozë, bardheblutë dhe të kuqtë kanë arritur në momentin e së vërtetës.

Pas kaq shumë derbeve të luajtura kundër njëri-tjetrit për këtë vit, bëhet e vështirë për Shehin dhe Colella-n të gjejnë lëvizjet e duhura që mund ta vënë kundërshtarin në vështirësi.

Ata e njohin njëri-tjetrin, dhe gjithashtu mirë. Megjithatë, diçka do të duhet të shpiket, sepse në ndeshje të tilla të bllokuara, shpesh është lëvizja e papritur që përzien kartat.

Bilanci i sezonit është dy fitore për Partizanin dhe një për Tiranën, në tre ndeshje shumë të ndryshme. Ky derbi mund të përkufizohet vetëm një lojë shahu. Kryqyteti do t’i ketë sytë nga “Air Albania”.

Ndoshta shfaqja nuk do të jetë protagonisti i vërtetë, por, të paktën në tribuna, do të ketë koreografi dhe spektakël nga tifozeria, që gjithmonë i japin kolor tjetër duelit të ethshëm.

Trajneri Oregs Shehi nuk do të ketë të gatshëm 5 futbollist, por mbi të gjithë rëndojnë mungesat e Behiratche dhe Florent Hasanit.

Me rreshtimin 4-3-3, në portë luan Visar Bekaj, përpara tij Najdovski dhe Lulaj, në krahun e djathtë Toshevski ndërsa Përgjoni në të majtë.

Në mesfushë do të operojnë Deliu, Aleksi dhe Lushkja. Abazaj pritet të jetë sërish në qendër të sulmit dhe do të ketë mbështetejn e Haxhiut dhe Gjumsit, por alternativ është edhe Berisha.

Te Partizani, trajneri Giovanni Colella do të zbres në fushë me modulin 3-5-2. Në portë Rexhepi, murin përpara tij do të formohet nga Preka, Telushin dhe Sota.

Në rolin e pistoanve në krah Hadroj në të djathtë dhe Atanaskoski në të majtë, ndërsa në qendër të mesfushës Rrapaj, Matondo dhe Murataj. Reparti i sulmit do të përbëhet nga Mba-Da Silva.

Derbi që do të luhet sot duke filluar nga ora 18:30 do të jetë i 170-ti në histori mes Tiranës dhe Partizanit.

Të kuqtë kanë fituar 70 ndeshje, 52 kanë përfunduar në barazim, ndërsa 47 i kanë fituar bardheblutë.

/Shkruar nga Drilon Xhepollari /zoom.al/