zoom

Stil

Nga borxhet te humbja e babait. Luiz Ejlli tregon jetën e tij: Kam menduar vetëvrasjen

Spektakli i së shtunës në Big Brother VIP ka sjellë në fokus linjën e jetës së Luiz Ejllit, përgjatë viteve.

Artisti shkodran bëri një rrëfim emocional dhe mjaft prekës në lidhje me të kaluarën, karrierën dhe zgjedhjet në jetë. Ai tregoi për shkollimin, lidhjen me nënën, humbjen e babait dhe zgjedhjet që e ndanë nga skena dhe kënga.

“Kur isha në momentin tim më të mirë, isha në mes të dy zgjedhjeve. Isha në mes të karrierës dhe zemrës dhe zgjodha zemrën. Dhe kur erdha në Shqipëri ishte tepër vonë. Kam lindur në Shkodër në vitin 1985. Gëzimi ishte i madh pas një vajze një djalë. Unë nuk flisja dhe përgjatë katër viteve kishin ngelur pa zgjidhje dhe askush nuk po jepte përgjigje. Kur kam qenë katër vjeç kam qenë poshtë tavolinës dhe kam kërkuar ta marr lodrën. Që nga ajo ditë nuk jam ndalur më. Kur filluan trazirat në mars të vitit 1997 gjithë njerëzit i kishin humbur shpresat, një pjesë e madhe kishin gjetur veten dikush në xhami, dikush në kishë. Unë shkoja në kishë. Aty mësova këngët. Kur u bëra maturant kushtet ekonomike në familje nuk ishin të mira. Nëna mbante dy punë, baba po ashtu dhe unë fillova punën si kamerier. Gjatë gjithë kohës këndoja kur punoja. Më tha një shok kanë ardhur ”Ethet” në Shkodër. Dola fitues në fund dhe ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme. Deri pa provuar emocionet e Big Brother-it, ka qenë emocioni më i madh që kam provuar. Më pas erdhi Eurovizioni”, tha Luizi.

Ai tregoi se la pas karrierën për dashurinë, por më pas i dhanë fund lidhjes 10-vjeçare, vetëm për një zënkë.

“Njoha një vajzë dhe isha me të për dhjetë vite. U dorëzova para saj, nuk arriti të m’i kuptonte dëshirat e vërteta që kisha. Nga kthimi filluan momentet e ftohjes mes meje dhe asaj për një zënkë momentale. Atë natë kur dola nga shtëpia kam pasur vetëm makinën, kam shtrirë sediljen dhe kam fjetur aty. Gjeta një shtëpi me qira dhe u ngrita sërish aty. Nuk lashë njeri pa i kërkuar ndihmë dhe askush nuk e vrau mendjen. Aty kuptova që personat që kisha pranë vetes kanë qenë vetëm për interes. Kam qenë në një situatë kur kam menduar edhe t’i jap fund vetes. Kur i humba gjitha shpresat mu kujtua një person, i cili më ndihmoi”, tregoi këngëtari.

Banori foli edhe për momentin kur mori vesh lajmin e hidhur se babai i tij u nda nga jeta. Luizi tha se kur hyri në Big Brother la punën dhe se ka disa borxhe për të larë.

“Në vitin 2020, data 24 dhjetor më bie telefoni, baba më uroi Krishtlindjet. Rreth orës 23:30 më merr në telefon një shok dhe më treguan se më ka ndërruar jetë babai. Jeta m’u bë akoma më e vështirë. Më pas më erdhi një telefonatë nëse dëshiron të bëhesh pjesë e Big Brother VIP.
Vendosa të jetë gara e fundit që do bëj. Kam arritur të perceptoj që jashtë ka njerëz që dinë me fal. Tani është momenti që unë të bëj zgjedhje të duhura dhe falë atyrë që më përkrahin të jetoj në Shqipëri. Atyre që më kthyen shpinën mund t’i them që këta lot nuk janë për ju, janë për zgjedhjet e gabuara që kam bërë. Dua të ia them që ia dola. Kur të dal nga këtu do ta vazhdoj ëndrrën për atë që kam lindur: këngën dhe muzikën”, rrëfeu Luiz Ejlli./ Zoom.al