zoom

Ekonomi

Sa taksa pagoi një shqiptar në 2022/ Në Tiranë më shumë, por qytetet e tjera rëndohen më shumë

Një shqiptar ka paguar mesatarisht 11.8 mijë lekë taksa në muaj për të gjithë vitin 2022, me një mesatare 141.4 mijë lekë në vit.

Kjo është analiza që bën qendra e kërkimeve Altax në Shqipëri, në një raport mbi barrën fiskale.

Në një analizë më të detajuar sipas bashkive, rezulton se barra më e lartë tatimore për qytetarët është në Tiranë, ku mesatarisht secili banor ka paguar 376.2 mijë lekë në vitin 2022 gjatë jetesës së përditshme të tyre. Gjithë bashkitë e tjera të vendit kanë një barrë më pak se gjysma e barrës tatimore të banorëve të Tiranës, por edhe më poshtë nivelit mesatar të barrës tatimore të vendit.

Gjirokastra është e dyta për barrën tatimore gjithsej, ku mesatarisht secili banor ka paguar 138.9 mijë lekë në vitin 2022.

Më pas vjen rajoni i Vlorës (pa Sarandën), ku nga llogaritja rezulton se mesatarisht secili banor ka paguar 137.9 mijë lekë në vitin 2022.

Në vijimësi vijnë Lezha me 135 mijë lekë në vit, Durrësi me barrë tatimore mesatare vjetore prej 131.4 mijë lekë, Saranda me 130 mijë lekë në vit, Berati me 108.9 mijë lekë në vit, Fieri me 107.5 mijë lekë në vit, Korça me 101.4 mijë lekë ne vit.

Ndërkohë, barra tatimore në Elbasan mesatarisht është 97.7 mijë lekë në vit për banor, në Shkodër është 83.9 mijë lekë për banor në vit, në Kukës është 80.7 mijë lekë për banor në vit dhe barra me nivelin më të ulët është në Dibër me 67.7 mijë lekë për banor në vit.

Por, barrën më të lartë për banor për tatimet e konsumit, TVSH dhe akcizë, pra për shërbimet dhe mallrat për vitin 2022 është Saranda, ku 56.9% e barrës tatimore të banorëve i përket këtyre dy taksave.

Treguesi vazhdon të jetë i lartë edhe në Kukës, Elbasan, Dibër, Lezhë, Korçë dhe Vlorë. Ndërkohë, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Fier dhe Berat barra e TVSH dhe Akcizës është poshtë nivelit 50% në raport me barrën tatimore.

Sipas studimit kjo lidhet me konsumin e vizitorëve që ndikojnë në llogaritjen dhe shpërndarjen e produkteve nga vendi ku prodhohen në vendin ku konsumohen.

“Ky fakt vlen të shikohet edhe në krahasim me ndikimin që kanë mallrat dhe shërbimet e konsumit që përdoren më shumë edhe nga vizitorët që lëvizin nëpër qytetet në Shqipëri duke ndikuar mbi konsumin shumën e TVSH që është pjesë e vlerës së shpenzimeve të tyre duke ndikuar edhe në rritjen e barrës që rezulton nga kjo llogaritje. Një faktor ndikues lidhet me shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum, të cilat kanë një prirje të konsumohen jashtë zonës ku krijohen apo prodhohen drejt eksportit apo në zonat me dendësi popullsie”,-sqaron raporti i Altax.

Aty theksohet se një matje e tillë duhet të ndihmojë edhe në diferencimin e kontributit real të taksapaguesve. Nga ana tjetër ai vlen për të kuptuar se sa duhet pretenduar për të përfituar mbrapsht në formën e shpenzimeve që bëhen nga buxheti shërbimet që kanë interes të madh publik.