zoom

Aktualitet

Dhunoi dhe ngujoi për një javë gruan, arrestohet 31-vjeçari. Në pranga edhe bashkëpunëtorët

Një 31-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga policia pasi ngujoi për një javë, bashkëjetueses së tij, dhe e dhunoi vazhdimisht atë me sende të forta.

Në pranga ranë edhe katër persona të tjerë të cilët ndihmuan autorin të fshejë provat dhe ta largojnë atë nga vendi i ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas informacioneve të siguruara për një shtetas që po mbante me forcë bashkëjetuesen e tij, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”, menjëherë organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Locked”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve: – G. G., 31 vjeç, B. N., 36 vjeç, A. Sh., 41 vjeç, B. K., 27 vjeç, E. K., 42 vjeç, të pestë banues në Tiranë.

Shtetasi G. G. i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.

Shtetasit B. N. dhe A. Sh. nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit B. K. dhe E. K., (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.

28-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.