zoom

Ekonomi

Gjatë janarit, buxheti i shtetit rezultoi me 15 mld lekë suficit, investime vetëm 1 mld

Në janar të vitit 2023, buxheti i shtetit arkëtoi 50.3 mld lekë nga të ardhurat doganore dhe tatimet, me rritje 10% nga janari 2022. Ndonëse rritja është pozitive, niveli i saj është më i ulët se ai i një viti më parë. Sipas ministrisë së Financave, vlera e arkëtuar është vetëm 2% më pak se ajo e planifikuar. Njësoj si pothuajse i gjithë viti i shkuar, edhe 2023-shi ka nisur me suficit për arkën e shtetit, 14.9 mld lekë vetëm për janarin 2023, me rritje 14% nga janari i shkuar.

Të ardhurat më të larta në vlerë janë kontribut i tatimit mbi vlerën e shtuar, rreth 17 mld lekë në janar, me rritje 12.6% nga janari 2022 dhe 0.4% më shumë nga plani.

Ndërsa rritjen më të madhe vjetore e kanë pasur të ardhurat nga tatim fitimi, me 45.2% më të larta se janarin e vitit të shkuar, me vlerë 2.4 mld lekë, por 0.5% më pak nga plani.

Tatimi nga të ardhurat personale ka arkëtuar 5.3 mld lekë, me rritje 30.5% në raport vjetor dhe 0.2% më pak nga plani.

Të ardhurat nga akciza janë rritur me 17.4% në raport vjetor, 4.1 mld lekë, dhe 0.8% më pak se plani.

 

Nga ana tjetër, edhe shpenzimet rezultuan më pak se plani, por më të larta se një vit më parë. Vlera e tyre raportohet 35.4 mld lekë, nga të cilat 34.3 janë shpenzime korrente. Ato janë rritur me 7.6% nga janari 2022 në janarin 2023, por 4.4% më pak se plani.

Pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar për paga, 6.2 mld dhe sigurime, 12.6 mld.

Për shpenzime kapitale janë harxhuar vetëm 1.03 mld lekë, 42% më pak nga plani, por rritje me 46% nga janari i vitit të shkuar. Sipas tabelës së MFE, kjo shumë është financim i huaj tërësisht.

Sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, ky është një efekt zinxhir; i ndikuar nga çmimet e larta që kanë rritur të ardhurat nga TVSH përtej parashikimeve si edhe reduktimin e shpenzimeve kapitale për shkak të situatës financiare.

Qeveria është kritikuar shpeshherë nga ekspertë dhe autoritete për centralizimin e shpenzimeve kapitale vetëm në muajt e fundit të vitit dhe jo për gjatë 12 muajve. Suficiti  i krijuar deri në nëntor 2022, i rezervoi qeverisë edhe një kritikë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko . Ai u tha  përfaqësuesve të  Ministrisë së Financave në komisioni i Ekonomisë, duke se “kjo praktikë e vjetër e qeverisë (që përqëndron investimet kapitale në fund të vitit), duhet zhdukur pasi krijon luhatje të panevojshme në tregun e brendshëm financiar dhe redukton efektivitetin e shpenzimeve publike.