zoom

Sport

E bujshme, arrestohet presidenti i Federatës së Futbollit

Policia e Kosovës ka arrestuar presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Sipas televizionit T7, kreu i FFK-së, është marrë në pyetje prej katër orësh në një stacionin policor në Prishtinë.

Ende nuk dihen arsyet e arrestimit të Ademit nga Policia. Në 2-3 vitet e fundit ka pasur raportime në media se Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë duke u hetuar nga prokuroria, policia e krimeve ekonomike dhe inteligjenca doganore për keqpërdorimin e fondeve dhe shmangie tatimore.

Ky arrestim vjen katër ditë para ndeshjes së Kombëtares së Kosovës në transfertë kundër Izraelit në kuadër të kualifikueseve për “Euro 2024”.

Ditë më parë Ademi është shpallur i pafajshëm për një aktakuzë të ngritur ndaj tij në vitin 2012, për të cilën fillimisht ishte dënuar në dy shkallë të gjyqësorit me 9 muaj burgim efektiv.

Ai e çoi në rigjykim rastin e tij dhe në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Një vit më parë Ademi ishte arrestuar edhe njëherë nga Policia nën dyshimin për kryerje të sulmit fizik ndaj një punëtori të FFK-së. /zoom.al/