Aplikacion
“Ne patëm mundësinë të mirëpresim deklaratën e kryeministrit që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej”, tha Borell.
Edhe Rama e pohoi sot tërheqjen nga pasaportat e arta, por jo nga amnistia fiskale dhe legalizimi i kanabisit, duke pranuar ekspertizën e BE.
“Sa i përket pasaportave të arta, e kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel europian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE-së. Ne nuk do ta nxjerrim këtë çështjes në tavolinë pa parë si vendos Gjykata Europiane. Kemi folur për amnistinë fiskale, qëndrimi ynë është i ditur. E vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit për ekspertizë, duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Ne nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është gjë e mirë në pari sepse kemi arsyet tona për të menduar se kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por duam ta bëjmë së bashku, ndaj falënderim për ekspertizën dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit”, tha Rama.
“Kemi përfunduar procesin e konsultimeve për kanabisin mjekësor dhe do të vazhdojmë në parlament”, shtoi Rama.
Më herët, në një nga seancat e komisionit ndërparlamentar të Ekonomisë për projektin e Portit të Durrësit, me të cilin lidhej kjo nismë, zv.sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, la të hapur mundësitë për miratim.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jorida Tabaku, Kokona tha se në ligjin shqiptar nuk është përcaktuar një program i pasaportave shqiptare dhe se çfarë lloje investimesh përfshihen në të ende, por do të shqyrtohet në një moment të dytë.
Ajo shtoi se BE nuk e ndalon një gjë të tillë. ”BE kontrollon kushtet se si programet ndërtohen, se si plotësohen e nëse qeveritë janë të afta apo jo. Do të jetë subjekt i shqyrtimeve në një moment të dytë. Nuk po fshehim asgjë sepse ende nuk e kemi gati programin”, -u shpreh Kokona./Zoom.al