zoom

Bota

Vuçiç flet pas takimit: Pata një takim të vështirë me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ka pasur një “takim të vështirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Bruksel.

“Besoj se do të kemi shumë takime në periudhën e arshshme”, tha ai.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takimin e radhës me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në tryezën e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Vuçiç tha se në takim nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e këtij propozimi, por “për krijimin e planit të zbatimit”.

“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.

Sipas informacioneve që ka siguruar REL-i, propozimi i BE-së përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Vuçiç la të kuptohet se më 18 mars do të ketë një takim tjetër me Kurtin në Maqedoninë e Veriut. Në atë kohë, tha ai, rajonin do ta vizitojë Borrell.

“Mendoj se është e rëndësishme që deklarata e BE-së të përfshijë domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht, insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Vuçiç.

“Mendoj se zoti Kurti nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë tani. Do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, shtoi ai.

Paraprakisht, Kurti dhe Vuçiç u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë./REL

Related Posts

None found