zoom

Aktualitet

Në Itali akuzohet për korrupsion, Guvernatori i Sardenjës merr titullin “Honoris Causa” në Tiranë

Një çështje me përmasat e një skandali ka përfshirë Fakultetin e Mjekësisë në Shqipëri.

Autoritetet në Itali kanë marrë nën hetim Guvernatorin e Sardenjës, Christian Solinas për akuzën e korrupsionit dhe të pastrimit të parave, ndërkohë që një skandal e lidh atë drejtpërdrejt me Shqipërinë. Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë e ka pajisur me një titull “Honoris Causa” në kushte vërtet shumë të çuditshme.

Ai po përballet me hetimin për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa po hetohet nga prokurori i Cagliarit. Guardia di Finanzia i ka sekuestruar telefonin dhe kompjuterin nga ku pritet zbardhja e komunikimeve.

Në fakt, në Gjykatën Shqyrtuese është paraqitur një kërkesë për lirimin nga sekuestrimi, kurse vendimi pritet të merret brend 10 ditëve të ardhshme. Ai akuzohet se bleu disa toka në Capoterra me para korrupsioni. Kjo pronë u pagua nga një sipërmarrës dhe iu dha guvernatorit.

Nën hetim janë edhe konsulenti i tij Christian Stevelli, menaxheri Roberto Raimondi dhe sipërmarrësi Roberto Zedda.

Janë dy drejtime hetimi, të bazuara edhe në përgjime telefonike, të koordinuara nga prokurori Giangiacomo Pilia. E para ka të bëjë me kompromisin e shitjes ndaj sipërmarrësit Zedda të një ish-abati në Capoterra dhe depozitën e mbledhur në pronësi të Solinas, një operacion që do t’i shërbente guvernatorit si garanci për të marrë kredinë për blerjen e vilës së tij, pranë Poetto-s së Cagliarit. Sipas prokurorisë, fitimi kapital prej rreth gjysmë milioni eurosh do të ishte ryshfeti i dhënë sipërmarrësit për të marrë një sërë kontratash publike nga Qarku dhe organet e tij të kontrolluara.

Hetimi i dytë i referohet emërimit të Raimondit si menaxher i përgjithshëm i Eni Cb-Med.

Roberto Raimondi ka punuar si Drejtor i Përgjithshëm në rrjetin e Spitalit Amerikan në Tiranë. Nga viti 2018 deri në shtator 2022 ai ka filluar punë si pedagog në Fakultetin e Shëndetit Publik në Universitetin Mjekësor të Tiranës, ku ka dhënë njohuritë bazë në ekonomi. Ndërkohë që nga viti 2021 deri në shtator 2022 ku edhe ka filluar punën në Itali në një autoritet shumë të rëndësishëm që merret me menaxhimin e milionave eurove fonde, Raimondi ka punuar si Drejtori i Sektorit të Doktoraturave në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Sipas pretendimeve, në këmbim të emërimit, Solinas ka marrë disa pozicione pedagogjike me kontratë në universitetet ku Raimondi punon. Raimondi është drejtor i Shkollës së Doktoraturës të Universitetit Publik të Mjekësisë të Tiranës. Por edhe profesor në departamentin e shëndetit publik dhe profesor i përhershëm në universitetin privat Unilink, me qendër në Romë. Mbetet misterioze sesi Solinas do ta kishte justifikuar marrjen e një diplome që në Itali përfshin mësime dhe praktika në kohën kur ai ishte president i Rajonit, pa bërë vitet e shkollës.

Këto dyshime kanë bërë që prokurorë nga Cagliari të vijnë drejt Tiranës për të zbardhur gjithçka. Mediat italiane shkruajnë se sigurisht që guvernatori ka një marrëdhënie të vështirë me kualifikimet arsimore, i mbiquajtur jo rastësisht “trofta sardenje”: para se të zgjidhej, ai mburrej vetëm me një “diplomë ekselence” në sociologji që daton në 17 maj 2006, të marrë nga “Universiteti Leibnitz i Milano”. Një kualifikim i panjohur nga Miur. Solinas u diplomua në drejtësi në 2018 nga Universiteti i Sassarit . Por universiteti ka refuzuar gjithmonë të shfaqë tezën duke e konsideruar atë të mbrojtur nga privatësia. Tani vjen kjo histori kurioze e diplomës së mjekësisë në Tiranë”, shkruajnë gazetarët italianë.

Ministria e Arsimit në Shqipëri ka mohuar lajmin e dhënë gjerësisht nga mediat italiane se Guvernatori i Sardenjas në Itali ka marrë në Shqipëri titullin ‘Honoris Causa’./zoom.al/